Futboll

Talenti 15-vjeçar Dowman krahasohet me Yamalin

Max Dowman

Foto: Associated Press

Max Dowman i mbylli sytë dhe shikoi në qiell. Më pas u ul, e preku barin me duar dhe hyri në fushë. Me vetëm 15 vjet e 235 ditë, Dowman, zyrtarisht lojtar i Premier Leagues, hyri në lojë tek Arsenali si zëvendësues në pjesën e dytë, në fitoren 5:0 ndaj Leedsit të shtunën. 

Me hyrjen në lojë në minutën e 64-t, ai mori përkrahjen ndoshta më të madhen, në mbrëmjen në “Emirates Stadium”. Kjo ndoshta sepse tifozët e Arsenalit në Dowmanin shohin perspektivë të madhe. 
Njësoj edhe trajneri i tij. 

“Është një djalosh që nuk heziton fare dhe është i bindur që si 15-vjeçar mund të hyjë në lojë dhe të shfaqë atë që di, diçka që unë nuk e kam përjetuar asnjëherë në jetën time”, ka thënë Mikel Arteta pas ndeshjes me Leedsin për Dowmanin. Ai mund të jetë përgjigjja e Anglisë për të riun e Spanjës dhe superyllin e Barcelonës, Lamine Yamal. 

“Ai neve na sjell kënaqësi, emocion dhe diçka tjetër që e bën punën tonë kaq të madhe”.

E kaluara e Dowmanit

Dowman u lind në Chelmsford, një qytet në Essex, në juglindje të Londrës. Dowman iu bashkua Arsenalit më 5 maj 2015. Ai debutoi për U18 të Arsenalit si 13-vjeçar dhe u bë golashënuesi më i ri në “UEFA Youth League” si 14-vjeçar, kur luante me grupmoshën U19. 

Dowman i kishte 14 vjet kur u ftua nga Arteta të stërvitej me ekipin senior të Arsenalit në dhjetor të vitit të kaluar dhe shkëlqeu me ekipin në përgatitje, në ndeshjet në Azi kundër Milanit dhe Newcastlet. 

Ai është i majtë dhe luan në krahun e djathtë. I pëlqen të futet në thellësi. Vetëm pyetni te Leedsi kur në të, në njërin prej driblimeve në krahun e djathtë, u fitua penallti në kohën shtesë. U shndërrua në gol nga Viktor Gyokeres, në fitoren 5:0.

A është lojtari më i riu në Premier League?

Jo më i riu. 

Dowman është i dyti në historinë e kësaj liste, pak prapa lojtarit tjetër të Arsenalit, Ethan Nwanerit, i cili ishte 15 vjet e 181 ditë kur hyri në lojë si zëvendësues kundër Brentfordit në shtator të vitit 2022. Edhe Nwaneri luan me të majtën dhe është mesfushor-sulmues.   

Vetëm tre lojtarë deri tani kanë luajtur në Premier League nën moshën 16-vjeçare. Tjetri është Jeremy Monga, i cili luajti për Leicesterin si 15-vjeçar e 271 ditë. Monga duhej të mbante veshur fanellë pa sponsor, pasi fanella e Leicesterit sponsorizohej nga një platformë lojërash “online” me kriptomonedha.

Dowman me Anglinë

Ai ka luajtur për grupmoshën U16 të Anglisë vitin e kaluar dhe menjëherë u selektua për U17 në Kampionatin Evropian, që u organizua në Shqipëri në muajin maj. U bë lojtari më i ri i turneut që shënon gol. Ai realizoi ndaj Çekisë. Dowmani ishte titullar në të tria ndeshjet e fazës grupore, por Anglia nuk avancoi.

Gati për paraqitje në Ligën e Kampionëve

Dowman do të jetë 16-vjeçar më 31 dhjetor dhe vetëm atëherë do të lejohet të luajë në Ligën e Kampionëve. Kështu ai do të jetë i gatshëm për fazën nokaut në muajin shkurt, nëse Arteta e fton. 
“Lojtarët e moshës 16-vjeçare duhet të regjistrohen në Listën B nëse ata kanë qenë të regjistruar për atë klub në dy vjetët e kaluar pa ndërprerje”, shkruan në rregulloren e UEFA-s. Dowman e plotëson këtë rregull. 

Lojtari më i ri që ka luajtur në Ligën e Kampionëve është Youssoufa Moukoko, sulmuesi që u paraqit për Borussia Dortmundin në fazën grupore ndaj Zenit St. Petersburgut, në dhjetor të vitit 2020, vetëm 18 ditë pasi kishte festuar ditëlindjen e 16-të. 
Yamali ishte 16 vjet e 68 ditë kur debutoi në “Champions” në shtëpi ndaj Antwerpit, në shtator 2023.

Çfarë thonë tek Arsenali për të?

Nuk është vetëm Arteta që e ka lavdëruar Dowmanin. 

“Mendoj se të gjithë e shohin potencialin që ai e ka”, ka thënë mbrojtësi i Arsenalit, Jurrien Timber, pas ndeshjes me Leedsin. “Të luash ndaj lojtarëve të rritur. Atë është kënaqësi ta shohësh, vlen edhe për tifozët, kënaqesh duke e parë”. 

Në mars mesfushori i Arsenalit, Declan Rice, e përshkroi atë si “të pabesueshëm”, por insistoi: “Mund të jesh 15-vjeçari më i mirë në shtet, por kjo nuk do të thotë patjetër që do të jesh njësoj edhe si 18-vjeçar. Kështu që duhet të jesh i uritur për suksese, të punosh dhe të mos ndalesh”.