Përvoja në garat evropiane nuk i mungon kampiones së Kosovës, Drita. Skuadrës gjilanase nuk i mungon as dëshira për ta nisur me fitore rrugëtimin në kualifikimet e edicionit 2025/2026 të Ligës së Kampionëve.
Por për ta fituar ndeshjen ndaj kampionit të Luksemburgut, Differdange, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, pret nga lojtarët e tij maksimumin në fushë.
Drita - Differdange është ndeshja e parë e rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ky takim luhet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Ndeshja nis në orën 20:00 dhe do të transmetohet në KTV.
“Na pret një sfidë e re nga viti i kaluar, kur u paraqitëm në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Kemi obligim moral për ta përfaqësuar sa më mirë, jo vetëm Dritën dhe qytetin e Gjilanit, por të gjithë futbollin e Kosovës. Kemi pasur pesë javë kohë në dispozicion për t’u përgatitur. Ekipi është gati, ndoshta vështirë ta themi 100 për qind fizikisht, sepse ajo vjen pas disa paraqitjeve, por jemi shumë më mirë se në vitin e kaluar. Nuk kemi kohë për të humbur. Janë dy ndeshje të rëndësishme për ne. Kemi pasur fat që ishim bartës në short, sepse po të ishim pjesë e vazos tjetër do të kishim kundërshtar më të vështirë. Këtë fat duhet ta shfrytëzojmë dhe të kalojmë tutje”, ka thënë Ramadani të hënën në konferencë për shtyp.
Ai insiston se lojtarët e Dritës duhet të jenë më të mirë në fushë për ta nisur me fitore rrugëtimin e ri në Evropë.
“Fati ishte vetëm gjatë shortit. Aty ka mbaruar fati dhe na pret një punë e jashtëzakonshme në fushë. Te skuadra kundërshtare trajneri është ndërruar dhe na ka shkaktuar pak huti, por ne duhet të japim gjithçka më shumë se kundërshtari. Kemi parë një ndeshje të tyre. Pa derdhur djersë, pa e dashur më shumë fitoren, ajo nuk arrihet. Ne duhet të bëjmë më tepër se kundërshtari për të kaluar në raundin e dytë”, është shprehur Ramadani.
Ai ka folur edhe për pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit.
“Pika kryesore e forcës së tyre janë futbollistët e gjatë dhe disiplina taktike. Janë të fortë nga ndërprerjet, por kemi bërë punën tonë gjatë përgatitjeve për t’u mbrojtur në ato pika dhe t’i ndëshkojmë në pikat e tyre të dobëta. Por është skuadër me disiplinë të jashtëzakonshme”, thotë trajneri shkupjan.
Gjilanasit tashmë kanë përvojë gjashtëvjeçare në gara kontinentale. Drita merr pjesë rregullisht në garat evropiane që nga edicioni 2018/2019. Është vlerësuar për paraqitjen e mirë sidomos ndaj skuadrave të njohura si Feyenoord e Antwerp.
Në total ka 20 ndeshje në kualifikime për Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës. Ka fituar shtatë, ndërsa ka edhe katër barazime dhe nëntë disfata.
Ramadani thotë se mungesa e kapitenit Rron Broja është e madhe për Dritën. Por ai pret nga lojtarët e tjerë ta japin maksimumin.
Trajneri Ramadani pranon se Drita është favorite. Por kërkon kujdes.
“Në letër Drita është favorite. Kemi qenë bartës në short dhe kjo e bën Dritën favorite. Por ekipi kundërshtar ka eksperiencë, kurse edhe ne kemi adutët tonë. I kemi punuar të gjitha metodat dhe sistemet me të cilat do të përballemi ndaj ekipit kundërshtar”, thotë Ramadani.
Ai ka përsëritur se synimi i Dritës është kalimi në raundin e dytë kualifikues të Championsit.
“Përgatitjet i kemi bërë për kampionat dhe Evropë. Synimi është të kalohet tutje dhe të mbetemi sa më gjatë dhe afër grupeve. Nuk mendojmë asgjë tjetër, vetëm të kalojmë raundin e parë me sukses. Nëse kualifikohemi në grupet e Ligës së Konferencës, unë dhe besoj edhe drejtuesit e klubit do të ishim krenar”, ka shtuar Ramadani.
Ai pret përkrahje masive nga shikuesit, në veçanti nga grupi i tifozëve “Intelektualët”.
“Jam i bindur se do të jenë futbollisti i 12-të për ne”.
Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Differdange të Luksemburgut.