Lojtarët e Sllovenisë janë të vendosur që të shënojnë fitore ndaj Kosovës, ndonëse pritet që të jenë pa më të mirin, Benjamin Sheshkon.
Sheshko u lëndua të shtunën, ndërsa gjasat janë të mëdha që të mungojë në ndeshjen e së shtunës në Lubjanë.
Andrazh Shporar po kalon formë të mirë aktualisht, ndërsa ka folur për synimin e qartë për ndeshjen ndaj Kosovës.
“Ndeshja është e thjeshtë. Duhet të fitojmë të shtunën dhe nëse duam të fitojmë, duhet të shënojmë gol. Do të bëjmë çdo gjë të mundur. Do të sulmojmë me të gjitha forcat pasi nuk kemi opsion tjetër”, ka thënë Shporar. Ai nuk beson se Sheshko do të bashkohet me përfaqësuese.
“Përfundimisht do të na mungojë ai, pasi është futbollist shumë i mirë. Por futbolli është sport ekipor dhe ata që do të jenë në fushë do të japin çdo gjë për fitore”, ka shtuar Shporar.
Mesfushori Tomi Horvat ka theksuar se Sllovenia ishte më e mirë se Kosova në ndeshjen në Prishtinë, që përfundoi 0:0.
“Ne nuk i frikësohemi askujt. E kemi dëshmuar edhe në ndeshjen në shtëpi me Zvicrën që mund të garojmë me të. Ishim më të mirë në Kosovë dhe është mëkat që nuk shënuam. Në shtëpi do të luajmë me energji edhe më të madhe. Përkrahjen e tifozëve duhet ta kthejmë në përparësi për ne”, ka thënë Horvat.