Futboll

Tinejxheri El Mala, pjesë e Gjermanisë në kualifikime

Said El Mala

Foto: Associated Press

Gjermania ka zgjedhur që ta ftojë tinejxherin e Kolnit, Said El Malan, për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Luksemburgut dhe Sllovakisë. 

19-vjeçari El Mala ka impresionuar me katër gola e dy asistime në nëntë paraqitje në Bundesligë, ndërsa në shumicën e ndeshjeve ishte zëvendësues. 

Ai ka luajtur edhe për të rinjtë e Gjermanisë. 

“E kemi parë talentin e tij edhe te grupmosha U21 dhe pas konsultimeve me selektorin Toni Di Salvo, kemi dashur t’i japim rastin me ekipin e seniorëve”, ka deklaruar përzgjedhësi Julian Nagelsmann të enjten. 

Nagelsmann po ashtu ka kthyer në skuadër Leroy Sanen e Galatasarayt, dhe mbrojtësin Malick Thiaw që paraqitet te Newcastle United. 

Gjermania luan ndaj Luksemburgut në udhëtim më 14 nëntor, ndërsa me Sllovakinë luan në Leipzig tre ditë më vonë. 

Sllovakia e befasoi Gjermaninë me fitoren 2:0 në ndeshjen hapëse, dhe të dyja përfaqësueset kanë nga nëntë pikë në Grupin A. Vetëm fituesi i grupit avancon direkt në turneun final të vitit të ardhshëm.