Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është shprehur i matur pas shortit për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Drita do të përballet me kampionin e Luksemburgut, Differdange 03.
“Ishim të përgatitur për çdo kundërshtar. Në këtë fazë të garave evropiane, ku përballemi me kampionë të vendeve të ndryshme, nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë. Megjithatë, ne jemi të përgatitur për këtë sfidë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, por do ta respektojmë çdo kundërshtar dhe kam shumë besim se me grupin që kemi, mund të arrijmë rezultate të mira. Kam besim të plotë në ekipin tim. Na mbetet të punojmë fort, të bëjmë analiza të detajuara për kundërshtarin, dhe në fund le të flasë fusha", ka thënë Ramadani për faqen zyrtare të klubit gjilanas.