Sulmuesi, Luis Diaz mund të jetë largimi i parë i skuadrës së Liverpoolit në verën e këtij viti.
Mësohet se Barcelona është e interesuar për shërbimet e kolumbianit, dhe po dëshiron që ta ketë pjesë të skuadrës për edicionin e ardhshëm në La Liga.
27-vjeçari me Liverpoolin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Ekipit anglez iu bashkua në vitin 2022 nga skuadra e Portos.
Diaz me fanellën e Liverpoolit ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar katër herë në 38 ndeshjet e edicionit aktual. Ai 11 gola i ka shënuar edhe për Kolumbinë në 47 ndeshje.
Rodrygo konfirmon qëndrimin te Reali
Pas fitores 3-2 ndaj Barcelonës të dielën, sulmuesi Rodrygo ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga Real Madridi gjatë verës së këtij viti.
Braziliani pas ndeshjes është shprehur se dëshiron që karrierën e tij futbollistike ta përfundojë te gjiganti spanjoll, shkruan eksperti i transferimeve Fabrizio Romano.
“E dua shumë këtë klub. Shpresoj që e ardhmja ime të jetë gjithmonë këtu”, tha Rodrygo.
Mësohet se disa skuadra nga Premier League si Arsenali, Manchester City dhe Liverpooli kanë shprehur interesim për shërbimet e 23-vjeçarit.
Megjithatë, Rodrygo e ka bërë të qartë se nuk po mendon të largohet nga kryeqyteti spanjoll dhe shpreson që ta ketë një të ardhme të gjatë dhe të suksesshme me Real Madridin.
Në 45 ndeshje këtë edicion në të gjitha garat, 23-vjeçari me fanellën e Los Blancos ka shënuar 17 gola dhe ka kontribuar me tetë asistime. Kontrata me skuadrën e Realit i përfundon në vitin 2028.