Futboll

Xhaka lavdëron Alonson: Kishim kohë të shkëlqyer

Granit Xhaka, Xabi Alonso

Bayer Leverkuseni do të jetë nënkampion i Gjermanisë. Pasi e fitoi titullin e kampionit në edicionin e kaluar, Leverkuseni e humbi garën me Bayern Munchenin këtë edicion. 

Xabi Alonso e udhëhoqi Leverkusenin drejt titullit historik. E udhëhoqi skuadrën, ku paraqitet me sukses Granit Xhaka, edhe në këtë edicion. Por gjasat janë të mëdha që trajneri spanjoll të largohet nga Leverkuseni këtë verë. 

Ka raportime të shumta se Real Madridi e ka zgjedhur Alonson si pasardhës të Carlo Ancelottit.

Ende nuk ka vendim zyrtar për largimin e Alonsos nga Leverkuseni. Por as për qëndrimin e tij.
As Xhaka nuk e di se çka do të ndodhë.

“Mendoj se është më e lehtë për çdo ekip, për çdo lojtar, të dihet se kush do të jetë në stol edicionin e ardhshëm”, ka thënë Xhaka, shkruan “Blick” të hënën.

Alonso ishte njëra prej arsyeve kryesore pse Xhaka në vitin 2023 u pajtua të largohet nga Arsenali për t’iu bashkuar Bayer Leverkusenit.

“Më ka pëlqyer mënyra si si luante ai dhe si dëshironte që të luhej. Kështu që ishte vendim i shpejtë. Çdo ekip e dëshiron një trajner si ai”, ka thënë kapiteni i Zvicrës.

“Trajneri do të jetë këtu për aq kohë sa do të jetë. Ai nuk ka lënë përshtypje fare se dëshiron të largohet. Por pavarësisht se çka ndodhë, ne kemi pasur kohë të shkëlqyer”, ka vazhduar Xhaka.

Leverkuseni tashmë po punon për të gjetur pasardhësin e Alonsos, nëse ai largohet për te Real Madridi.

Erik ten Hag është opsion e po ashtu Xavi. Cesc Fabregas është tjetër emër i përfolur.