Futboll

Xhaka për tensionet në Beograd: Kisha vdekur për këtë fanellë

Taulant Xhaka

Taulant Xhaka nuk shquhej për gola e asistime të shumta. Ajo që e karakterizonte ish-mesfushorin ishte lufta e madhe që bënte për fanellën “kuqezi” të Shqipërisë. Dhe si luftarak në fushë do të mbahet mend.

“Kisha vdekur për këtë fanellë” ka thënë ndër të tjera Xhaka në serinë e parë të rrëfimeve të legjendave që kanë luajtur për Shqipërinë, të publikuar të shtunën në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Nuk kam bërë sakrifica të mëdha por gjithmonë e kam dhënë maksimumin. Kisha vdekur për këtë fanellë”, ka deklaruar Xhaka kur është pyetur se çfarë sakrifice personale ka bërë për Kombëtaren.

 

 

Xhaka i është referuar tensioneve në Beograd, në ndeshjen e 14 tetorit në Beograd ndaj Serbisë. Ajo ndeshje i takoi kualifikimeve për “Euro 2016”. Shqipëria e fitoi më vonë ndeshjen me rezultat zyrtar dhe e siguroi kualifikimin në Evropian.

Ajo ndeshje u ndërpre pasi huliganët serbë, lojtarët e Serbisë dhe pjesëtarët e sigurimit i sulmuan lojtarët e Shqipërisë. Incidentit i parapriu paraqitja me dron e flamurit “Autochthonous” mbi fushën e stadiumit në Beograd. Ishte flamur me motive shqiptare, me hartën e kuqe me shqiponjë të zezë dhe figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit anash, flamur që u bë i famshëm në mesin e shqiptarëve.

Xhaka ishte prej të parëve që u afrua në mbrojtje të atij flamuri.

Ish-mesfushori defensiv  u pensionua nga Shqipëria pas 30 paraqitjeve e një goli të shënuar.

Xhaka, që tani punon si trajner te Dardania BS në Zvicër, shpreson në fitore në gjysmëfinalen e plejofit të Botërorit 2026. Më 26 mars, Shqipëria luan në udhëtim ndaj Polonisë.

“Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht”, ka deklaruar Xhaka.