Futboll

Yakin veçon personalitetin e ish-reprezentuesit të Shqipërisë

Adrian Bajrami

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, i habiti të gjithë duke e ftuar Adrian Bajramin tek ekipi i Zvicrës. Qendërmbrojtësi 23-vjeçar i Luzernit kaloi nga Shqipëria te Zvicra dhe e ka impresionuar Yakinin me personalitetin e tij

Gjashtë pikë të fituara në dy ndeshjet e para, pothuajse asnjë lëndim dhe shumë lojtarë që janë në formën më të mirë në fillim të këtij sezoni. Kurrë më parë, gjatë kohës së tij si selektor i ekipit të Zvicrës, Murat Yakin nuk ka pasur kaq pak dhimbje koke kur ka publikuar listën e tij. E megjithatë 51-vjeçari dëshmoi edhe një herë se mund të pritet një surprizë prej tij. Përveç Luca Jaquezit të Suttgartit, Yakini ka ftuar për herë të parë edhe Adrian Bajramin, qendërmbrojtësin e Luzernit. 

“Jam gjithmonë shumë i lumtur kur mund të bëj një zgjedhje të tillë për një skuadër. Të dy ishin shumë të lumtur, të emocionuar dhe shumë krenarë”, thotë Yakin.

Përfshirja e Bajramit, i lindur në Langenthal, 188 centimetra i gjatë, është i jashtëzakonshëm në disa aspekte. Së pari dihet mirë që Yakin pëlqen të përfshijë lojtarë që e kanë provuar veten në nivel ndërkombëtar. Paraqitjet e mira në Superligë nuk kanë qenë gjithmonë të mjaftueshme vitet e fundit. Yakinit në veçanti i bëri përshtypje personaliteti i tij. 

“Edhe në moshë të re, ai ka dëshmuar në Luzern se merr përgjegjësi si të ishte një lojtar me përvojë të madhe. Kur fola me të, ishte shumë e habitshme sa i pjekur është për moshën e tij”.

Ai është gjithashtu i gjithanshëm, thotë Yakin, si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e majtë.

Refuzoi Shqipërinë

Së dyti, Bajrami ka luajtur për ekipin kombëtar të Shqipërisë që nga ekipi U19 dhe ka luajtur tri ndeshje për ekipin A. Meqë ishin vetëm miqësore, 23-vjeçarit iu lejua ndryshimi i përfaqësueses. 

Federata e Futbollit e Zvicrës ka folur së fundi për lojtarët me dy nënshtetësi. 

“Ai ishte shumë i qartë që nga fillimi se donte të luante për Zvicrën”, shpjegon Yakin.

Ai kishte refuzuar ftesën e Sylvinhos në fillim të shtatorit, por vetëm të mërkurën mbrëma, Federata e Futbollit e Zvicrës mori dritën jeshile nga FIFA që Bajrami ta ketë të drejtën e paraqitjes për Zvicrën me efekt të menjëhershëm.

Ishte befasi përfshirja e tij në listën e Zvicrës, duke pasur parasysh konkurrencën e fortë. Sidomos pasi Bajrami ende nuk e ka treguar veten në nivelet e larta. Megjithatë, nëse merrni mendim nga njerëzit e ekipit të Shqipërisë, do të dëgjoni shumë gjëra pozitive. Ai ka kontroll shumë të mirë të topit me këmbën e majtë, është i fortë me topin dhe është shumë komunikues si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

“Një djalë i mirë që ka besim në vetvete”, thonë ata.

Puna në klubin e Benficas

Bajrami i mori hapat e parë në futboll te FC Langenthali, pastaj kaloi te skuadra U16 e Young Boysit. Në vitin 2019, ai u transferua te klubi i madh Benfica në Portugali dhe që atëherë ka luajtur për të gjitha ekipet e të rinjve. Në vitin 2024, ai u bë kapiten i Benfica B.

“Në Portugali, zbulova stilin e futbollit që më përshtatet në mënyrë të përkryer – nga mbrojtja, pasime të shkurtra. Pikërisht ajo që më pëlqen”, tha Bajrami në një intervistë për “Blick”.

Ai bëri gjashtë paraqitje për skuadrën e parë sezonin e kaluar. Dy ndeshje luajti si titullar për Kupë, një paraqitje në ligën portugeze dhe dy paraqitje si zëvendësues në Kupën e Botës për Klube. Në verë ai u huazua te Luzerni dhe u kthye në Zvicër.

Atje ka një gëzim të madh për ftesën që Yakin ia bëri Bajramit. Luzerni njoftoi se kishte blerë kartonin e Bajramit më 24 shtator. “Jemi krenarë që ai është bërë lojtar i ekipit përfaqësues brenda një kohe kaq të shkurtër dhe tani shpresojmë të debutojë”, tha trajneri i Luzernit, Mario Frick, menjëherë pas publikimit të listës. Ai e meritonte një ftesë.

“Fakti që ndodhi kaq shpejt flet shumë për punën dhe zhvillimin e tij”, tha Frick.

Nëse Bajrami dhe Jaquez do të debutojnë kundër Suedisë apo Sllovenisë, është e hapur.

“Jemi të kënaqur që mund t’u ofrojmë atyre një rast për të treguar se çfarë mund të bëjnë gjatë javës në stërvitje. Do t’i monitorojmë nga afër”, ka thënë Yakin.