Futboll

Zeniti pritet të dënohet për fyerjet ndaj Mirlind Dakut

mirlind daku

Zeniti ishte prej klubeve të mëdha ruse që shprehu interesim gjatë këtij afati kalimtar për transferimin e sulmuesit të Shqipërisë

Klubi i madh rus, Zenit St. Petersburg, pritet të dënohet për fyerjet ndaj lojtarit të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, në ndeshjen e Kupës së Rusisë.

Incidenti ndodhi më 12 gusht në Shën Petersburg në ndeshjen e raundit të dytë të fazës së grupeve të Kupës ruse të futbollit.

Kryetari i Komitetit të Kontrollit dhe Disiplinës së Federatës së Futbollit të Rusisë, Artur Grigoryants, tha se komiteti do ta ndëshkojë Zenitin për sjelljen e tifozëve në ndeshjen e raundit të dytë të Kupës së Rusisë. Zeniti mposhti 3:0 Rubin Kazanin. Dakut iu anulua një gol me VAR.

VIDEO: Goli i anuluar i Dakut

"Do të hetohet brohoritja masive me shprehje fyese nga tifozët e Zenitit drejtuar lojtarit të Rubinit, Mirlind Daku, në ndeshjen e kupës", tha Grigoryants në një bisedë me korrespondentin e Championat, Vladislav Kruglov.

Mbledhja do të zhvillohet më 20 gusht.

Zeniti ishte prej klubeve të mëdha ruse që shprehu interesim gjatë këtij afati kalimtar për transferimin e sulmuesit të Shqipërisë.