Daku vazhdon me Rubin Kazanin deri në vitin 2029
Kazan, 13 korrik (KD) - Sulmuesi Mirlind Daku ka nënshkruar kontratë të re me skuadrën ruse Rubin Kazan.
Të dielën, Rubin Kazani ka njoftuar se Daku do të jetë pjesë e kësaj skuadre deri në vitin 2029.
Mediumet ruse kanë raportuar se paga e qendërsulmuesit pritet të jetë 2.5 milionë euro në vit. Me bonuse mund t’i fitojë deri në 3 milionë euro.
Siç shkruajnë në Rusi, me kontratë të vjetër Daku kishte pagë vjetore prej 700 mijë eurosh.
Në Rusi e kanë komentuar vazhdimin e kontratës së Dakut me Rubin Kazanin.
Ish-presidenti i Spartakut të Moskës, Andrey Chervichenko, ka thënë se vazhdimi i kontratës me sulmuesin është fitore e madhe për Rubin Kazanin.
“Por mua më duket se vazhdimi i kontratës është për një shitje të mëvonshme të tij. Rubin Kazani vlerësoi se më mirë është të paguante për vazhdimin e kontratës tash dhe pastaj ta shesë më vonë. Më duket se Daku do të shitet në njërin prej klubeve të Moskës në janar, ose verën e ardhshme. Deri atëherë ai do të jetë i qetë me sjelljet e tij si shqiptar”, ka thënë Chervichenko, raportojnë mediume të ndryshme ruse.
Për Dakun kishte interesim nga klubet e mëdha të Moskës, e po ashtu edhe nga skuadra e madhe ruse Zenit St Petersburg. Madje, u raportua se Zeniti kishte arritur marrëveshje me Rubinin për transferimin e Dakut. Por lëvizja nuk u realizua. Zeniti nuk arriti marrëveshje me Dakun, ndërsa u raportua se arsyet për këtë nuk ishin vetëm sportive. Ka pasur spekulime se Zeniti hoqi dorë nga Daku për veprimin e tij në Euro 2024, e po ashtu për përmbajtjen e tatuazheve të tij.
Pas një ndeshjeje me Shqipërinë në Evropian, Daku e mori megafonin dhe e nisi një sharje ndaj serbëve e maqedonasve. Për këtë ishte dënuar nga UEFA më pas. Nga mediat ruse i është përmendur edhe tatuazhi që mban në nderim të komandantit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Daku, është sulmuesi kryesor i Rubin Kazanit.
Daku përfundoi i dyti në listën e golashënuesve më të mirë të sezonit të kaluar në elitën ruse të futbollit.
Me skuadrën e drejtuar nga trajneri Rashid Rakhimov, sulmuesi gjilanas i ka zhvilluar 62 ndeshje, duke kontribuar me 25 gola dhe 12 asistime.
27-vjeçari pjesë e Rubin Kazanit është nga viti 2023. Ai u transferua nga Osijeku për një milion euro.
Daku karrierë ka bërë edhe te Mura në Slloveni, te Kukësi në Shqipëri, ndërsa ka luajtur edhe për disa skuadra kosovare, si Llapi dhe Ballkani.
Ai me Kombëtaren e Shqipërisë i ka luajtur 11 ndeshje, ndërsa e ka një gol të shënuar.