Manchester, 22 maj - Manchester City ka konfirmuar të premten se Pep Guardiola do të largohet pas ndeshjes së fundit të këtij edicioni që skuadra e luan të dielën.
Guardiola e ka udhëhequr Cityn drejt 17 trofeve të rëndësishëm, duke përfshirë gjashtë trofe të Premier Leagues. Ai ishte trajner i Cityt për 10 vjet.
Ndeshja e fundit e Guardiolas si trajner i Cityt do të jetë ndaj Aston Villas në “Etihad”, të dielën.
“Mos më pyesni për arsyet e largimit. Nuk ka arsye. Por thellë në vete e di që është koha”, ka thënë Guardiola.
“Asgjë nuk është e përjetshme. Nëse do të ishte, unë do të isha këtu. E përjetshme do të jetë ndjenja, njerëzit, kujtimet, dashuria që kam për Manchester Cityn tim”.
Edhe
“Daily Mail”: Guardiola do të largohet nga City
Ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, që ka punuar me Guardiolan te City, pritet ta zëvendësojë spanjollin.
Konfirmimi për largimin e Guardiolas erdhi tri ditë pasi City e humbi garën për titull të kampionit në Premier League. Arsenali është kampion i ri.
Guardiola në shkurt të vitit 2016 firmosi kontratë trivjeçare me Manchester Cityn, ndërsa nisi punën në verën e atij viti. Edicionin e parë nuk e fitoi asnjë trofe, por më pas shkëlqeu.
City është ekipi i vetëm që ka mbledhur 100 pikë në një edicion të Premier Leagues. E ka bërë këtë në edicionin 2017/18, kur po ashtu theu rekordin për më së shumti gola – 106. Në vitin 2023, City u bë vetëm ekipi i dytë anglez në histori, pas Manchester Unitedit, që fitoi tre trofetë e mëdhenj – Premier Leaguen, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve.
City i Guardiolas më pas u bë ekipi i parë që e fitoi ligën angleze katër herë rresht. Kontrata e fundit e 55-vjeçarit ishte e vlefshme deri në vitin e ardhshëm, por Guardiola ka vendosur të largohet.
Edhe
Tetë lojtarë mund të largohen nga Manchester City
City ka shkruar se Guardiola kishte efekt transformues dhe se spanjolli do të vazhdojë raportin me “City Football Group” si ambasador global.
Ai e nisi karrierën te Barcelona, ku pati suksese të mahnitshme. Më pas punoi te Bayerni. Cityn e shndërroi në njërin prej klubeve më të mëdha në botë.