Ky është një rrëfim për katër breza të shoqërisë kosovare – tri të parat si leksion për të katërtin, brezin që sot është duke zgjedhur të ardhmen e tij
Nëna ime kishte vendosur. Unë do të bëhesha mjek.
Ishte përgjithësisht grua e prerë dhe ëndërrimtare. Babai ishte i ftohtë dhe pragmatik.
Gjithkush i do mjekët. Do të kesh autoritet, prestigj, - ëndërronte ajo.
Mjekët nuk mbesin pa para, - llogariste ai.
Mua më pëlqente letërsia.
Edhe Këshilla bijës sime në ditën e votimeveShkrimtarët janë ëndërrimtarë, - ma priste si shpatë ajo.
Shkrimtarët nuk bëjnë para, - thoshte ai me ton disi ceremonial.
Nëna dhe babai im gjithnjë e dinin. Ishin të sigurt. Flisnin me ndjenjën e njëjtë të pagabueshmërisë në parashikimin e ardhmërisë sime sa edhe me nijetin e mirë. I tillë ishte brezi. Të dy ishin shumë më të shkolluar se prindërit e tyre dhe, ndonëse nuk kishin pasur asgjë në fëmijërinë e tyre, të dy ishin përshtatur më mirë në sistemin e kohës: kishin arritur të bënin banesë, makinë, televizor me ngjyra, të bënin pushime verore, të udhëtonin. Pra, ata dinin. Qy, ia kishin dalë! Prindërit e tyre konsultoheshin me ta për çështje administrate, banke, zgjedhjeje mobiliesh.
Ata dinin. Ata vendosnin edhe për prindërit. Ergo, duhej të vendosnin edhe për mua, fëmijën e tyre.
Mirëpo, mua nuk më pëlqente mjekësia.
Nuk është kjo punë qejfi, është punë ardhmërie. Fundja, çfarë do të thonë shoqet e mia…
Qejfi është punë egoizmi. Njeriu duhet të mendojë edhe për familjen.
Për të dy, nderi i familjes ishte shumë i rëndësishëm. E unë po vija nga një epokë tjetër: jo epokë e nderit, por e dinjitetit. Po vija nga një kohë, ku e ardhmja shihej si një zgjedhje personale që bënte bashkë prirjet e talentet e mia me dëshirat dhe kënaqësitë. Besoja se kisha prirje për të mësuar të shkruaja dhe, më shumë se kaq, kisha qejf të shkruaja. E në brezin e prindërve të mi, qejfi shihej disi si njëfarë mëkati, njëfarë egoizmi, të cilin duhej agjëruar pa iftar e pa syfyr. Për mua vlerësimi dhe reputacioni që mund ta kem para të tjerëve nuk ka qenë kurrë aq i rëndësishëm sa vlera e brendshme e patjetërsueshme imja si qenie njerëzore, pra sa dinjiteti dhe integriteti personal.
Tërë maturantët e Kosovës këtë fillim vere gjenden para zgjedhjes së madhe të jetës, siç kam qenë unë tridhjetë e kusur vjet më parë. Janë të rinj e jeshilë. Mirëpo, e tillë është jeta. Zgjedhjet kryesore na duhet t’i bëjmë në moshë, kur nuk jemi mjaftueshëm të pjekur. Në moshë të re zgjedhim profesionin, partnerin e jetës, punën, udhën nga do të shkojmë.
Megjithatë, ka shumë dallime në zgjedhjet atëherë dhe tani.
Ai 18-vjeçari kokëfortë para tridhjetë e kusur vjetëve kishte zgjedhur të mos u bindej prindërve dhe pati shkuar në një shtëpi të shndërruar në zyrë të administratës së Fakultetit të Filologjisë në sistemin paralel të Kosovës në rrugën që tash e ka emrin “Bajram Kelmendi” dhe po aplikonte në Departamentin e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Referenti me mustaqe që shëmbëllenin si të Clark Gable nxjerrë nga naftalini, shënoi në indeks: Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe.
Më falni, por unë dua të studioj letërsinë.
Mirëpo, referenti, po ashtu, i takonte atij brezit që dinte. Si prindërit e mi.
Më mirë e ke të studiosh Gjuhën shqipe. Më beso. Bash se dëshiron të bëhesh shkrimtar, më mirë e ke të studiosh Gjuhën shqipe.
U detyrova t’i besoja se nuk kisha mjaftueshëm para të blija indeks të ri.
Jetonim në një kohë, kur nuk kishim shumëçka dhe dinjiteti ishte e vetmja gjë që mund të kishte mbetur nën presionin e dhunës dhe të luftës që kanoste të shfaroste qenien tonë. Ishte shenjë dalluese e brezit tim.
Në kohën e gjysheve të mia, fakulteti ishte fare i rrallë. Në kohën e prindërve të mi, fakulteti ishte një garancë e punës së sigurt, e banesës, e kredisë bankare dhe e jetës së rehatshme ekonomikisht. Për mua jo gjithaq.
Punën e parë si i diplomuar e kam pasur shpëtimtar në një plazh në Shtoj të Ulqinit. Të dytën, kamerier. Në një shkollë fillore në fshat pata konkurruar, e drejtori më pati thënë se nuk mund të më punësonte, por më luste t’ia lija diplomën time, në mënyrë që ai, i cili do të punësohej me të njofshëm, të shihte se kë ishte detyruar ta refuzonte drejtori për t’i bërë vend. Diploma e Gjuhës shqipe po dukej se nuk po më hynte në punë.
Prindërit e mi e dinin. Duhej t’u isha bindur dhe të pranoja të bëhesha mjek.
Edhe
Paradoksi i dijes: Studimet doktorale që s’magjepsin më
Dinjiteti im klithte se njeriu duhet të bëjë gjithçka siç duhet dhe në fund të shpresojë për pakëz fat. Diploma ime assesi më nuk ishte garancë e punësimit dhe e rehatisë ekonomike. Ishte, siç thotë Sir Ken Robinson, njëfarë pasaporte për punësim, në variantin më të mirë.
Për fëmijët e mi, nuk është as aq. Në udhëkryqet e tyre të jetës, ka të tjera zgjedhje.
Brezi që këtë verë do të zgjedhë fakultetin që do ta studiojë, edhe më pak e ka të sigurt punën në raport me diplomën që do ta marrë.
Mund të kërkojnë ndoshta ndihmë dhe këshillë se çfarë do të duhej të zgjidhnin për të studiuar.
Ndryshe nga prindërit e mi që dinin, unë nuk di gjithaq. Mirëpo, e di që nuk di dhe kjo më mjafton. Në vend se t’u tregoj fëmijëve çfarë të bëjnë me jetët e tyre, unë kam zgjedhur tjetër udhë.
Kur i pata mësuar të notonin të vegjël, i merrja me vete në det. Rrinin vetë mbi ujë. Unë vetëm mbaja dorën afër tyre që ta dinë se në rast nevoje kanë ku të kapen. Mirëpo, ata vetë duhet të përballeshin me valët e detit dhe me tallazet e jetës. Edhe tani që janë rritur, vazhdoj ta mbaj dorën njëjtë, tek notojmë bashkë.
Eh dora, - më tha njëherë djali im, tek po bënte krol përskaj meje. Gjithmonë e di se është aty.
Me atë dorën aty, jam përpjekur t’i mësoj të kenë integritet e dinjitet. Të jenë vetja. Të mos druhen nga zgjedhjet në jetë dhe të mos druhen të jenë të veçantë, të mos i nënshtrohen presionit të të tjerëve, qoftë presioni i prindërve të tyre, të mos i nënshtrohen asnjë autoriteti, qoftë ai i babait të tyre.
Nuk e di të ardhmen. I bëjmë të gjitha siç duhet dhe shpresojmë në fund për pakëz fat.
Në shtator, si rëndom, në orën e parë të vitit të ri shkollor, do t’i pyes studentet dhe studentët e mi se përse kanë zgjedhur të studiojnë Gjuhën shqipe dhe, si rëndom, do të më shikojnë me habi e sëkëlldi.
Është brez i videolojërave dhe i chat gpt-së, i leximeve sipërfaqësore, i punëve të lehta, mundësisht online dhe i një kodi virtual të sjelljes sociale.
Brezi im do të kërkojë prej tyre të jenë të kujdesshëm, sepse zgjedhja e tyre është e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.
Unë vazhdoj të besoj se në çdo brez, të rejat dhe të rinjtë duhet të zgjedhin sipas prerjes së talentit të tyre me dëshirat personale.
Një ndër arsyet e ngecjes së zhvillimit ekonomik në Kosovës është se një pjesë e të punësuarave dhe e të punësuarve në sektorin publik dhe privat nuk e duan vendin e tyre të punës. Nuk i përmbush. Për to/ta, detyrat e përditshme sipas përshkrimit të vendit të punës janë vetëm njëfarë torture që duhet ta durojnë dhe, mundësisht shmangin, në kundërshpërblim për pagën që e marrin në fund të muajit.
Shumë prej tyre, kur kanë qenë në kohën e zgjedhjes së drejtimit që do ta studionin, zgjedhjen e kanë kryer në bazë të emrit dhe të prestigjit shoqëror të atij drejtimi, pavarësisht nëse kishin prirje për atë fushë a nëse kishin dëshirë për t’u marrë me atë profesion.
Po mirë e çfarë të zgjedhim? – mund të pyesë ndonjë.
Nëse më pyesin, do t’u them se nuk e di. Do të propozoj të kërkojnë brenda vetes së tyre veçantinë që e kanë. Ashtu do të mund të ndeshen rrugës me njerëz të tjerë të veçantë dhe të kenë fate të veçanta.
Megjithatë, në vend të ndonjë këshille, më me qejf, mund ta ofroj shembullin tim. Nuk e zgjodha unë të ardhmen. Ajo më zgjodhi mua. Rrugës pashë se të zgjidhja probleme të linguistikës më jepte më shumë kënaqësi se të shkruaja letërsi. Pashë se problemet, në dukje të mërzitshme, të ndërlikuara e me shumë detaje konkrete e të vërteta kisha më shumë qejf t’i përlaja sesa fantazinë dhe ëndrrat. Nuk u bëra kurrë shkrimtar.
Fundja çfarë do të kërkonte një shkrimtar në epokën e AI-së, të lajmeve të rreme, të rrjeteve sociale e të leximit sipërfaqësor? Ndoshta ai ala-Clark Gable i administratës e kishte ditur të ardhmen time, siç dinin të gjithë të brezit të tij.
Edhe
Qytetarët e Prishtinës s’mund të zgjedhin mjekun familjar përmes e-Kosova
Prindërit e mi, ndërkohë, kishin pushuar së dituri dhe po krenoheshin me mua.
Me fjalë të tjera: Lëre të ardhmen të të zgjedhë vetë.