Deputetët e kanë detyrë institucionale dhe kushtetuese të shkojnë në punë, përkatësisht në seancë, pavarësisht se disponojnë me mandatin e tyre si të duan. Por nuk duhet harruar se ato mandate ua ka dhënë populli, në interesin e të cilit duhet të veprojnë. Alternativa që na mbetet është të shkojmë në zgjedhje sërish. E pse? Pse populli është i mirë derisa e qet votën
Dhe më në fund u certifikuan rezultatet, pas pesë javësh. Me këtë nisi të rrjedhë afati për konstituimin e Kuvendit.
Nga sjelljet e para të shefave të partive politike, po e shohim se askujt nuk po i ngutet me Kuvendin – për shkak se e gjithë loja dhe i gjithë basti është te posti i kryetarit të shtetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPra, edhe një në vargun e shumë shenjave se zgjidhja e ofruar kushtetuese, që kryetari i shtetit, për të cilin thuhet se ka kompetenca më shumë ceremoniale, e që nuk është bash krejt e vërtetë, të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës ka qenë vlerësim i gabuar.
Por që asnjëherë deri tash zgjedhja e kryetarit të shtetit nuk ka kaluar pa telashe (pos te rasti i Jahjagës dhe zarfit, që megjithatë ndodhi pas cirkut me Pacollin), e dimë, se kemi qenë dëshmitarë.
Madje edhe në kohën e Rugovës – atëherë ka qenë më thjesht: Rugova e donte postin, atëbotë njëmend ceremonial, për vete, prandaj edhe e pranonte që dikush me pak vota të bëhej kryeministër e të mbante plot poste ministrore.
Herëve të tjera, kjo çështje disi është zgjidhur me koalicione qeverisëse deri në zgjedhjen e Osmanit – ishte LDK-ja dhe ndonjë deputet tek-tuk që e ndihmuan zgjedhjen e saj.
E më pas, erdhi fillimi i 2026-s. U gjetën një varg arsyetimesh se përse dikush hyn ose nuk hyn në sallë për ta bërë kuorumin, ose edhe për të votuar.
Doli në sipërfaqe ambicia e pasosur e Vjosa Osmanit edhe për një mandat. Bëri veprim kundërkushtetues (edhe pse Kushtetuesja nuk u mor me të, ngase askush nuk e çoi rastin e shkeljes që kishte bërë para gjykatëseve), e bindi ish-partinë e vet se do t’ua sillte qindra mijëra votat që dikur i kishte pasur së bashku me VV-në dhe që natën kur dolën rezultatet e para, tha: “VV-ja nuk ka asnjë arsye për të mos më votuar për presidente”.
* * *
E arsye për të mos e votuar mund të jetë edhe fakti se ajo ishte një nga protagonistet politike që na çoi në zgjedhjet e qershorit, pa ama bash asnjë fije nevoje.
Ambicia e saj dhe e të tjerëve që besonin se me këto zgjedhje do të ndodhte përmbysja e madhe, na i humbën plot do miliona nga BE-ja, për shkak se në mungesë të Kuvendit aktiv, që do t’i votonte të gjitha të nevojshmet për t’iu qasur mjeteve të ndara nga Evropa për Kosovën, ajo që na mbeti qe një listë e gjatë deputetësh, ish-deputetësh, me një fjalë, badihavxhinjsh, që do të marrin rroga kalimtare, për ato s’di sa ditë që ndenjën në kolltukët e sallës plenare të Kuvendit.
Rezultatet qenë dëshpëruese për opozitën, hiq AAK-në që ia doli ta kalonte pragun me lider të ri partiak. Për partinë fituese qe humbja e shumicës së arritur në dhjetor, por megjithatë mjaftueshëm ulëse që së bashku me pakicat joserbe ta krijojë qeverinë e re të brishtë.
Ani që pati fjalë e propozime që do të duhej hedhur VV-në në opozitë po qe se do të bashkoheshin që të gjithë, ishte e qartë që nga starti se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse votave u bashkohej edhe Lista Serbe – pra me votat e eksponentëve të Vuçiqit do të mund të arrihej shumica e synuar prej 67 votave.
Dhe, për rezultat do ta kishte një qeveri të larmishme (qeveria Haradinaj 2, i ka pasur 22 partnerë të koalicionit, ku absolutisht secila votë e kërkonte një hise, hise e cila më pas u përkthye në 80 e kusur poste zëvendëskryeministrash) – pra në esencë një qeveri të paefektshme dhe të shtrenjtë, që në kushte normale do ta kishte shumë problem zbatimin e programit zgjedhor, se nuk do të dihej cili do të duhej të shërbente si bazë për tutje.
Por, duke e pasur parasysh se programet zgjedhore te ne janë si të ishin e si të mos ishin, do të kishin vepruar sipas përvojës së moçme: t’i qepojnë buxhetit të shtetit sa më shumë që të munden. Diçka si pushteti aktual, veç pak më ndryshe.
Por, megjithatë lidhja e koalicionit me Srpskan do të kishte efekte afatgjata shkatërruese për partitë shqiptare aktualisht në opozitë – sidomos pas Banjskës dhe sulmit terrorist të udhëhequr nga (ish-)nënkryetari i këtij subjekti.
Nuk e besoj se do të tregoheshin aq shkurtpamës, me gjithë kënaqësinë që ua shkakton ideja se do të mund të bëheshin me pushtet. Por... ambicies nuk i dihet.
* * *
Pra, në mungesë të këtij opsioni po mbetet kombinimi i votave mes partish shqiptare. Natyrisht, nëse qëllimi nuk është që të na çojnë sërish në zgjedhje.
Kurti i ftoi në takime të ndara tre liderët e partive shqiptare. Gjini refuzoi – për shkak se pas zgjedhjeve doli publikisht me një kërkesë prej gjashtë pikash si kushte që VV-ja duhej plotësuar, po qe se e donte përkrahjen e Aleancës.
Gjini e di që premtimi për secilën nga kërkesat edhe mund të jepet (tjetër është muhabeti se a mund të realizohen, posaçërisht ky i gazit, meqë aty nuk ka as fizibilitet) dhe se ultimatumi “nuk na i përmbushni kërkesat, nuk marrim pjesë në votim” është asgjë më shumë se shantazh që nuk e ka parasysh interesin e përgjithshëm.
Interesant qe, para gjashtë pikave të Gjinit, propozimi i Besnik Tahirit – që Haradinaj të kandidonte për kryetar, nëse e kam kuptuar mirë, me kundërkandidatë të tjerë. Pra kush fiton vota më shumë zgjidhet.
Nëse njëmend kështu e ka menduar Haradinaj (për shkak se Tahiri nuk do ta thoshte këtë krye më vete), do të ishte një zgjidhje e jashtëzakonshme e nyjës, dhe këtu, një sakrificë politike e tij, për të mirën e procesit të zhbllokimit të jetës në Kosovë.
Në fund, nëse asgjë, do t’i mbeste nderi që ecëm tutje.
Hamza kësaj radhe pranoi të takohej me Kurtin. Para se të hynte tha: Nuk kemi vija të kuqe, duke mos e bërë krejtësisht të qartë nëse e kishte fjalën për ndonjë koalicion eventual qeveritar, apo duke sinjalizuar se nuk do të paraqiten pengesë për zgjedhjen e kryetarit të shtetit dhe se bile dikush nga ajo parti do të jetë aty për ta siguruar kuorumin.
Doli nga takimi duke thënë se “PDK-ja mbetet në opozitë”, me ç’gjë konstatohet se koalicion VV-PDK nuk ka. Hamza tha edhe se përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka VV-ja dhe se PDK-ja do të jetë konstruktive. Kështu patën thënë edhe herën e shkuar dhe shkuam në zgjedhje.
E, duke i pasur parasysh rrethanat aktuale, rënien e numrave të PDK-së gjatë zgjedhjeve të shkuara, si dhe mungesën e një lideri karizmatik që ka fuqi për ta këndellur partinë e rënë në amulli prejse ish-udhëheqësit e saj kanë shkuar në Hagë – nuk jam shumë e sigurt se PDK-së do t’i konvenonin zgjedhjet e reja në nivelin qendror.
Rreziku nga tkurrja e mëtejme vazhdon të jetë aty, sërish e varur shumë nga aktgjykimi i Hagës që pritet për gjysmën e shtatorit.
* * *
I ftuari i tretë, Abdixhiku, gjendet në situatën më të rëndë prejse e ka marrë drejtimin e partisë. Ngritja e regjistruar në zgjedhje, me vota dhe numër deputetësh, megjithatë, duket të jetë fitore e Pirros për të.
Si kurrë më parë, është duke u ballafaquar me zëra nga brenda për dorëheqje. Kanë qenë publike reagimet e kryetarëve të degëve që e kërkojnë shkarkimin e tij, e njësoj i zëshëm edhe kundërreagimi i tij me akuzë të qartë për sabotim nga brenda – se aty ku LDK-ja del fituese në nivel komunal, del humbëse në nivel qendror.
Në këto rrethana e ka shumë, shumë zor ta mbajë kohezionin brenda në parti e edhe në grupin parlamentar.
Nga deputetët që i ka në listë, bile pesë ose gjashtë e kundërshtojnë hapur (d.m.th., një e treta), dhe edhe po ta mbërrinte një marrëveshje koalicioni me Kurtin, nuk i ka votat e mjaftueshme për të garantuar, madje edhe prezencën në sallë për ta kaluar procesin formal të zgjedhjes së kryetarit/es.
Por, edhe nëse nuk do të arrinte asnjë marrëveshje për qeverisje, atëherë së paku do të kishte ende mundësi të jetë pjesë e përzgjedhjes së një kandidati/eje apartiak/e e për ta tejkaluar këtë krizë super artificiale me efekte super reale.
Nëse ende nuk e kanë marrë vesh “të ndriturit” politikë: Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin qershor 2026, krahasuar me muajin qershor 2025.
* * *
Por, nuk ka fort kush brengoset për gjendjen në të cilën jemi, sepse po të ishte ndryshe, nuk do të shkonim tri herë në zgjedhje për 16-17 muaj.
Më irrituesja në këtë situatë është goja plot e politikanëve me premtime për të punuar për të mirën e popullit. Broçkulla!
Të vetmen të mirë që e kanë në mendje është qejfi i tyre dhe popullariteti, sa like, a sa views, a sa mentions i bëjnë nëpër rrjete sociale.
Asnjëri nuk e merr seriozisht atë që nja një milion herë është përsëritur deri tash: “Deputetët duhet të veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve”. Deputetët e kanë detyrë institucionale dhe kushtetuese të shkojnë në punë, përkatësisht në seancë, pavarësisht se disponojnë me mandatin e tyre si të duan.
Por nuk duhet harruar se ato mandate ua ka dhënë populli, në interesin e të cilit duhet të veprojnë.
Alternativa që na mbetet është të shkojmë në zgjedhje sërish.
E pse?
Pse populli është i mirë derisa e qet votën.