Në vend të talljeve me Oso Kukën e tërë përpjekja e Kosovës për vendosjen e një sistemi të përgjithshëm ligjor në territorin e vendit mund të kuptohet me shtetndërtimin evropian të filluar me një koncept të thjeshtë: nuk i shprehet besnikëria “gjakut e dheut”, por sistemit të brendshëm të ligjeve, sistemit kushtetues. BE-ja këtë e harroi, evropianët e Ballkanit Perëndimor janë aty për ta përkujtuar
1.
Filozofi gjerman, Jurgen Habermas, i vdekur fundjavën e kaluar, kishte diçka të bënte me krizën e targave të KM, letërnjoftimet e Kosovës, mandatin e Lulzim Hetemit dhe së fundmi me zbatimin e Ligjit për të Huajt në Republikën e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMbase rrëfimi më i skajshëm i përzierjes së Jurgen Habermasit në punët e brendshme të Kosovës ishte ai i Lulzim Hetemit.
Hetemi u zgjodh kryetar i Komunës së Leposaviqit më 2023 në zgjedhjet e organizuara pasi kryetari i deriatëhershëm i kësaj komune së bashku me tre kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhanë dorëheqje (me ta edhe policët, gjyqtarët e të tjerët të nacionalitetit serb në këtë pjesë të Kosovës).
Kryetari Hetemi u bë i tillë me njëqind vota, votuesit e tjerë të komunës bojkotuan zgjedhjet. Zgjedhja qe legale, por kur ai u nis për të hyrë në vendin e tij të punës, në zyrën e kryetarit u organizuan protesta nga disa qytetarë serbë, e më pas nga ana e përfaqësuesve të lartë diplomatikë të Bashkimit Evropian, në krye me shefin e diplomacisë dhe sigurisë J.Borrell u kërkua që ai të mos hyjë në zyrë. Apo, kur hyri, të zhvendoset diku tjetër, qoftë edhe disa qindra metra larg.
Kryetari Hetemi mbeti në zyrë me vullnet të vetin. Nga disa, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Rama, u përqesh si Oso Kuka bashkëkohor dhe iu kërkua të lëshojë pe ndaj kërkesave të miqve ndërkombëtarë. Kur vazhdoi të qëndrojë në zyrën e tij Kosova u akuzua për përshkallëzim të gjendjes politike dhe të sigurisë nga J.Borrell dhe iu vendosën sanksionet.
2.
Përqeshja me Oso Kukën nuk ka pasur ndonjë fat për t’u mbajtur për të mirë në mend e aq më pak për ta shpjeguar gjendjen. Këtë mund ta bëjë më mirë Jurgen Habermas me konceptin e tij të “patriotizmit kushtetues”. Ky koncept ka ndikuar thelbësisht në ndërtimin e shteteve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar me ndryshimin radikal në Gjermani. Sipas Habermasit, relacioni i përkatësisë së qytetarit në shtetin gjerman nuk qëndron në “blud und boden” (gjak e dhe), pra nuk mbështetet në konceptin etno-nacionalist që e çoi Gjermaninë në fillim të Luftës Botërore e gjenocid, por në përkatësinë e rregullave, normave ligjore e kushtetuese që rregullojnë marrëdhëniet në shtet. Gjashtëdhjetë vjet pas avokimit të konceptit të “patriotizmit kushtetues” nuk përbën kurrfarë çudie që kryetar i Mordbachut ,një komune prej 11 mijë banorësh në Gjermani të jetë zgjedhur Arianit Besiri, me prejardhje nga Mitrovica.
Nga këndvështrimi i konceptit të Habermasit, Lulzim Hetemi nuk përmbushi ndonjë obligim ndaj kombit e flamurit shqiptar që i ka për zemër, por përmbushi obligimin ligjor e kushtetues të shërbimit ndaj qytetarëve të komunës së tij. Nuk ishte Oso Kuka, por kryetari i të gjithë qytetarëve të Leposaviqit të cilët në shumicë dërmuese janë etnikisht serb. Në fund të mandatit, e në t’u zgjedhur kryetari i ri i Leposaviqit, i nacionalitetit serb, Hetemi u largua nga zyra. Ajo nuk ishte kullë e pushtuar me bajrak, por një zyrë me mandat të qartë juridik. Tash përmbushjen e obligimeve të veta ligjore e bën një kryetar tjetër, i zgjedhur me vota të shumicës.
3.
Bashkimi Evropian, gjegjësisht Shërbimi i vet i jashtëm dhe i sigurisë ka mundur të mësojë më shumë prej Evropës, prej vetes, prej Habermasit, kur u përpoq të merret me çështje që tash janë efemere e dikur paraqisnin çështje të rendit të parë si targat KM, letërnjoftimet e të ngjashme. Përgjatë disa vjetëve janë analizuar variante të ndryshme se si të akomodohet një veçanti identitare për serbët e veriut të Kosovës, të bëhen targa të veçanta automobilash, të bëhet regjim i veçantë dokumentesh identifikimi e kështu me radhë. Përgjatë të gjitha atyre viteve është bërë diçka që ishte në kundërshtim me porosinë e Habermasit, që besnikëria të mos ndërtohet mbi etni por mbi rendin ligjor e kushtetues. Kalimi prej njërit sistem në tjetrin- prej identifikimit të veçantisë etnike të targave a dokumenteve të identifikimit te targat e dokumentet shtetërore të Kosovës-qe paralajmëruar me bujë të madhe rreziku politik e sigurie, por kaloi në heshtje e rregull.
J.Borrell propozoi dhe arriti që ta ndëshkojë Kosovën me sanksione. Kosova u akuzua për procesin e kalimit të targave e letërnjoftimeve nga një sistem i veçantë e joligjor në një sistem të përgjithshëm e ligjor. Në fund u dënua me sanksione, sepse e përshkallëzoi situatën duke lejuar që një person i zgjedhur të shkojë në zyrën e tij e të përmbush obligimet e veta ligjore e kushtetuese.
J.Borrell nuk ndëshkoi vetëm Kosovën, e ndëshkoi edhe konceptin e Habermasit me të cilin është ndërtuar Kosova. Republika e Kosovës me Pakon e Ahtisaarit-e ndërtuar si fryt i bashkëpunimit Kosovë, BE dhe SHBA-është shtet evropian i cili mbështetet te “patriotizmi kushtetues”. Qytetarët e saj nuk kanë nevojë as ta duan, as t’i betohen e as t’i këndojnë. Por qytetarët e saj kanë obligim t’u qëndrojnë besnikë ligjeve dhe rendit të saj kushtetues.
4.
Qe një test prej Habermasi këto ditë puna e zbatimit të Ligjit për të Huajt. Nga ky këndvështrim është çështje që ndërlidhet fare pastër me shtet-ndërtimin evropian. Kosova, si pjesë e hapësirës evropiane të lëvizjes së lirë ka obligim që të dakordojë rregullimin e vet ligjor me atë të Bashkimit Evropian, jo vetëm si obligim përputhjeje morale por edhe obligim kontraktual; pa rregull ligjor të dakorduar me BE-në nuk ka lëvizje të lirë me pasaporta kosovare.
Ekziston një numër qytetarësh serbë të Kosovës që nuk e kanë formalizuar statusin e tyre brenda kontekstit ligjor, me dokumente përkatëse identifikimi. Po të zbatohej menjëherë ky ligj, pra më 15 mars siç qe paraparë, një numër prej shtatë mijë qytetarësh do të konsideroheshin në Kosovë apatridë, të paatdhe. Ata mbase do të mund të paraqisnin dokumente të Republikës së Serbisë, por atëbotë do të konsideroheshin vetëm si shtetas të huaj, me lejen e qëndrimit të sanksionuar për shtetas të huaj.
BE-ja, me zyrën e vet në Kosovë dhe me të dërguarin e veçantë së bashku me Qeverinë e Kosovës, arritën një marrëveshje për zgjatjen kohore të procesit që duhet t’u sigurojë shtatë mijë qytetarëve të drejtën e tyre për “patriotizëm kushtetues”. Pjesë e këtij dakordimi është edhe një obligim tjetër, ai i transformimit të institucioneve të arsimit e të shëndetësisë nga një gjendje të veçantisë së çrregullt në një gjendje të së përgjithshmes së ligjshme.
“Patriotizëm kushtetues”, përkundër kritikave që i bëhen marrëveshjes për Ligjin për të huajt, është edhe kujdes i veçantë për qytetarët që gjenden në pakicë, e që për momentin nuk e kanë të përmbushur ligjërisht identitetin e tyre plotë si qytetarë të Republikës së Kosovës.
5.
A bën të shikohet kështu? A bën t’i kuptojmë Lulzim Hetemin, targat, letërnjoftimet, Ligjin për të Huajt brenda një gjuhe të brendshme evropiane, asaj që e ka ndërtuar BE-në? Në rastin e fundit, BE-ja dhe Qeveria e Kosovës duket të jenë nisur pothuajse për herë të parë në një rrugëtim të këtillë bashkërisht .
Leposaviqi ka qenë maja e ajsbergut për Habermasin.
Sfida e tij nuk është as në atë komunë e as në Kosovë, është shumë më e gjerë dhe ka të bëjë me pothuajse tërë Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi ka nevojë për të më shumë se ndonjëherë ; identiteti i këtij vendi, aspirues të jetë së shpejti në BE, ka nevojë për “patriotizmin kushtetues” e jo garën e mohimit apo dominimit etnik. Bosnja e Hercegovina mbase këtë e ka formulë të vetme mbijetese e funksionaliteti. Maqedonia e Veriut doli nga lufta me një koncept që u inspirua nga Habermasi dhe u përkthye në Marrëveshjen e Ohrit; “patriotizëm kushtetues” do të thotë sot të njohësh të drejtën që shqiptarët ta shprehin atë patriotizëm në gjuhën e vet, në shtetin e vet. Dhe Serbia, që mund të jetë shtet evropian vetëm nëse është shtet i qytetarëve të vet e jo aspirant i përhershëm dhe i dështuar për të qenë shtet i cili përthekon të gjithë serbët brenda territorit të vet.
Ky është mësim i përbashkët, ndonjëherë i harruar në BE, por që duhet përkujtuar nga popujt e tjerë evropianë, ata të Ballkanit Perëndimor.