Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Në udhëkryqin e 7 qershorit

Nga Spanja e deri tek Izraeli, edhe vende të tjera e kanë gjetur veten në situata të ngjashme me këtë tonën sot. Ne mund të mësojmë nga përvoja e tyre, por asnjë vend nuk na ofron dot përgjigje definitive se çfarë na pret pas 7 qershorit. Deshëm apo s’deshëm, më 7 qershor të ardhmen tonë do ta shkruajmë ne vetë

Çfarë e ardhme na pret pas të dielës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje jam munduar kohëve të fundit të kuptoj se çfarë u ka ndodhur vendeve të tjera që e kanë gjetur veten në situatat e ngjashme. Pra, një situatë ku për shkak të polarizimit politik vendi gjen veten në bllokadë të vazhdueshme dhe zgjedhje të njëpasnjëshme. Kësisoj në katër kolumne të fundit kam shkruar se çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Izraelit, Bullgarisë, Greqisë dhe Spanjës. Secila nga këto katër vende ofron një të ardhme të mundshme e cila na pret pas 7 qershorit.

Nëse do ta kemi fatin e Izraelit kjo nënkupton se vendi do të mbyllet në një cikël të vazhdueshëm të zgjedhjeve dhe polarizimi politik do të vazhdojë të sabotojë përpjekjet tona për progres. Në Izrael brenda tre vjetëve u organizuan pesë palë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e gjashta do të mbahen këtë vit. Përkundër fitoreve të vazhdueshme të partisë më të madhe, opozita e bashkuar refuzoi çfarëdo lloj bashkëpunimi me ta. Nga shembulli izraelit ne mësojmë se polarizimet toksike ndërmjet pozitës dhe opozitës mund ta mbyllin Kosovën në një rreth vicioz nga i cili do ta ketë tejet të vështirë të dalë. Në mjediset e tilla toksike ku shumica e sheh veten si mbrojtëse e “vullnetit të qytetarëve”, ndërsa opozita e sheh veten si “shpëtimtare e demokracisë”, zgjedhjet humbin kuptimin. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Nëse do ta kemi fatin e Bullgarisë atëherë e ardhmja jonë është prapë e zymtë, por pak më optimiste se ajo izraelite. Në Bullgari është dashur të mbahen tetë palë zgjedhje të parakohshme brenda pesë vjetëve që më në fund vendi të dalë nga bllokada politike. Edhe atje sikur te ne bllokada ishte pasojë e polarizimi të thellë politik ndërmjet “gardës së vjetër” dhe “shpresës së re”. Në çdo hap “shpresa e re” u sabotua nga “garda e vjetër”, por nga ana tjetër “garda e vjetër” nuk arrinte dot të triumfonte mbi “shpresën e re”. Kësisoj, dy tabore politike u futën në llogore dhe bllokuan vendin për pesë vjet radhazi. Të frustruar me të dy taboret dhe gjithë situatën e krijuar, qytetarët u kthyen drejt një pale të tretë e cila befasishëm përmbysi skenën politike bullgare dhe e ndihmoi Bullgarisë të dalë nga bllokada e krijuar pesëvjeçare. Nga shembulli bullgar ne mësojmë se Kosova mund të jetë vetëm në fillimet e një bllokade e cila do të zgjasë një kohë të konsiderueshme. Sikur në Bullgari, edhe te ne dy tabore – “garda e vjetër” dhe “shpresa e re” – rrezikojnë të zhyten me çdo palë zgjedhje më thellë dhe më thellë në llogoret e tyre politike dhe ta tërheqin me vete gjithë vendin. Kjo do të krijojë rrethana për lindjen e një force të tretë politike e cila do të përfitojë nga bllokada e krijuar dhe frustrimi qytetar me dy tabore politike.

Nëse do të kemi një të ardhme sikur ajo greke atëherë e gjithë kjo bllokadë do të përfundojë shumë shpejt. Në Greqi ndonëse partia më e madhe fitoi zgjedhje ajo insistoi që fitorja ishte e pamjaftueshme dhe në mënyrë që vendi të mos bllokohet nga opozita ajo insistoi në zgjedhje të reja. Në fushatën që pasoi partia më e madhe greke i portretizoi zgjedhjet e reja si referendum në mes pozitës së përgjegjshme dhe opozitës së papërgjegjshme. Në mes stabilitetit dhe kaosit. Mesazhi i partisë më të madhe greke ishte i qartë – duam shumicën që t’i japim fund paralizës së vendit. Dhe kjo është ekzakt çfarë qytetarët grekë i dhanë. Nga shembulli grek mësojmë se bllokada politike edhe mund të përfundojë pas 7 qershorit. Në këtë të ardhme qytetarët do t’i japin Kurtit shumicën që ai kërkon për të qeverisur i papenguar nga opozita.

E ardhmja spanjolle është përsëri një e ardhme optimiste. Spanja ka kaluar ekzakt nëpër çfarë jemi duke kaluar ne sot – dy palë zgjedhje brenda pesë muajve si pasojë e paralizës politike. Dhe sikur te ne, bllokada u bë modë, ndërsa kompromisi u bë fjalë e pistë. Në Spanjë ndonëse partia më e madhe fitonte zgjedhje, krijimi i institucioneve u bë i pamundur për shkak të bllokadës së opozitës. Pas mbajtjes së dy palë zgjedhjeve qytetarët spanjollë penalizuan opozitën për bllokimin e institucioneve dhe shpërblyen partinë më të madh fituese. Kësisoj, vetëm pasi kuptoi mesazhin qytetar opozita vendosi që të tregohet konstruktive, t’i japë fund bllokadës politike dhe të mundësojë krijimin e institucioneve të reja. Në afatgjatë ky konstruktivitet i opozitës do ta shpërblejë me fitore në zgjedhje të ardhshme. Nga shembulli spanjoll mësojmë se një e ardhme e mundshme për Kosovën pas 7 qershorit është ajo ku asgjë domethënëse nuk ndryshon në kuptimin e forcave politike. Pra, Kurti nuk do të rritet aq sa për të thyer bllokadën, por as opozita nuk do të rritet për të imponuar vullnetin e saj mbi Kurtin. Në këtë lloj situate opozita jonë do të bëjë atë që ka bërë opozita në Spanjë – do ta vendosë shtetin para partisë dhe kësisoj do të lejojë krijimin e institucioneve të reja. Në afatshkurtër opozita do të fajësohet për “tradhti politike” dhe bashkëpunim me “diktatorin Kurti” nga elemente radikale të diskursit publik, por në afatgjatë ky konstruktivitet politik do të shpërblehet nga qytetarët.

Përmes udhëtimit mbrapa në kohë në Izrael, Bullgari, Greqi dhe Spanjë qëllimi i kësaj serie shkrimesh nuk ka qenë që të gjejmë një përgjigje definitive për situatën ku gjendemi sot. Qëllimi ka qenë që të tentojmë të informohemi se cilët janë ata faktorë strukturorë dhe personalë të cilët shkaktojnë kriza politike sikur kjo e jona dhe cilat janë disa nga praktikat më të mira për t’i tejkaluar ato. “Të gjitha modelet janë gabim, por disa janë të dobishme” – është thënie e famshme e staticientit George Box. Rrjedhimisht, analogjitë tona edhe mund të jenë të gabueshme, por patjetër që janë të dobishme. Në fund fare të kërkosh përgjigje definitive për të ardhmen tonë te historitë e të tjerëve është ndërmarrje e pakuptimtë. Deshëm apo s’deshëm të ardhmen tonë do ta shkruajmë ne vetë më 7 qershor.