Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Një Ballkan i ri

Protestat në Tiranë dhe Beograd janë të ngjashme, sepse ato janë duke luftuar të njëjtën gjë. Për herë të parë në rajonin tonë beteja kryesore nuk është më etnike apo gjeopolitike – është betejë qytetare ndërmjet gjeneratës së re të të rinjve evropianë dhe politikanëve dekadentë ballkanas të epokës së kaluar

Shqipëria dhe Serbia janë vende me histori të ndryshme, sidoqoftë këto ditë rrugët e Tiranës dhe Beogradit ngjasojnë jashtëzakonisht shumë. Protestat në Tiranë dhe Beograd kanë treguar se përkundër dallimeve të mëdha historike, qytetarët e dy vendeve kërkojnë një gjë të përbashkët: qeverisje të përgjegjshme dhe demokratike. 

Në të dyja vendet protestat e kohëve të fundit kanë filluar si pasojë e dështimit të shtetit. Në rastin e Serbisë shteti u shemb në plot kuptimin e fjalës kur një pjesë e stacionit të trenit u shemb në Novi Sad dhe mori jetën e 16 qytetarëve serbë. Në Shqipëri shteti u shemb në transmetim live, kur para organeve të shtetit bandat terrorizuan dhe tërhoqën zvarrë qytetarët e pafajshëm në Zvërnec.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe ndonëse në të dyja vendet këto dy ngjarje fillestare u bënë simbol i protestave, shumë shpejt protestat u transformuan në lëvizje për ndryshimin e klasës politike dhe modelit qeverisës. Në të dyja vendet po ashtu, protestat morën zjarr kur u kuptua se qeveritë e tyre janë duke bërë allish verishe me prona publike duke i kamufluar ato si investime të huaja direkte. Në të dyja vendet protestat po udhëhiqen nga të rinjtë në mënyrë paqësore dhe janë rezultat i vetorganizimit organik qytetar të të dyja vendeve respektive. Kërkesat e tyre janë po thuaj se identike: sundimi i ligjit, reforma politike, transparencë dhe llogaridhënie. Madje edhe brohoritjet e tyre, sloganet e tyre, si dhe pankartat e tyre simpatike janë shumë shpesh të ngjashme.

Ngjashmëria e jashtëzakonshme ndërmjet protestave në Shqipëri dhe Serbi nuk është e rastësishme. Protestat në Tiranë dhe Beograd janë të ngjashme, sepse ato janë duke luftuar të njëjtën gjë: klasën e vjetër politike. Kësisoj, për herë të parë në rajonin tonë beteja kryesore nuk është më etnike apo gjeopolitike – është betejë qytetare ndërmjet gjeneratës së re të të rinjve evropianë kundër politikanëve dekadentë ballkanas të epokës së kaluar. Ajo zbulon dy transformime paralele që janë duke ndodhur në rajonin tonë. Përtej etnive të tyre të ndryshme qytetarët po bëhen gjithnjë e më të ngjashëm në kërkesat e tyre progresive dhe demokratike, ndërsa liderët e tyre politikë po bëhen gjithnjë e më të ngjashëm në luftimin e kërkesave të tyre demokratike – qoftë ai Edi Rama apo Aleksandër Vuçiq. 

Kësisoj, ndonëse Rama dhe Vuçiq nuk mund të jenë individë më të ndryshëm, me histori të ndryshme, me shije të ndryshme dhe me aspirata të ndryshme, ata janë të bashkuar në një gjë të vetme – mbajtjen e pushtetit. Për ta mbajtur këtë pushtet dhe për të luftuar protestuesit ata kanë përdorur teknologji po thuaj se identike për delegjitimin dhe minimin e tyre. 

Si Rama, ashtu edhe Vuçiqi, kanë sulmuar protestuesit si elemente të agjenturave të huaja. Për Ramën ata ishin iranianë, grekë dhe serbë. Për Vuçiqin ata ishin perëndimorë, kroatë dhe shqiptarë. Të dytë kanë përdorur “çacitë” dhe “patronazhistet” si armët e tyre partiake për intimidimin e protestuesve. Të dytë kanë krijuar “Çaciland-at” dhe “Zeqiland-at” e tyre. Të dytë kanë militarizuar mediat e afërta me pushtetin për të shpërndarë mesazhin qeveritar me qëllim të kontrollimit të narracionit publik. Aty ku Vuçiqi kishte Pinkun dhe Informerin, Rama kishte Topin dhe Klanin. Të dytë janë munduar të targetojnë individë të caktuar në mesin e protestuesve për të delegjitimuar dhe përçarë protestuesit. Aty ku Vuçiqi ka përdorur Natasha Kandiqin për narracion antiserb, Rama ka përdorur Dritan Goxhajn për narracion antishqiptar. Po ashtu, si Rama, ashtu dhe Vuçiqi, kanë përdorur dhunë të kalibruar për të provokuar protestuesit dhe për të portretizuar protestat si anarkistë të dhunshëm. 

Është e jashtëzakonshme të vështrosh se si dy njerëz kaq të ndryshëm sikur Rama dhe Vuçiqi kanë zhvilluar dhe përdorur teknologjitë e njëjta politike për t’iu përgjigjur protestuesve. Kjo na lejon të konkludojmë se këtu nuk ka asgjë shqiptare apo serbe, asgjë e majtë apo e djathtë, asgjë lindje apo perëndim, asgjë kozmopolitane apo nacionaliste – këtu kemi të bëjmë me dy persona, të cilët refuzojnë të lëshojnë pushtetin. Dhe këto ngjashmëri nuk janë vetëm histori për Ramën apo Vuçiqin. Ato tregojnë se Ballkani po hyn në një fazë të re politike. 

Për dekada me radhë, Ballkani ka qenë teatër i konflikteve etnike, kufijve dhe rivaliteteve gjeopolitike. Sot, për herë të parë, po ravijëzohet një ndarje e re në rajonin tonë. Rajoni më nuk po ndahet në mes shqiptarëve dhe serbëve, në mes lindjes dhe perëndimit, por ndërmjet qytetarëve dhe elitave të tyre politike. Për herë të parë, beteja kryesore në rajonin tonë nuk është më etnike apo gjeopolitike. Është një betejë qytetare ndërmjet një brezi të ri evropian të së ardhmes dhe elitave ballkanike të së djeshmes. Nga e gjithë kjo do të lindë një Ballkan i ri.