Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Pazarxhinj

Mirë është që Kushtetueses t’i jepet hapësirë për veprim dhe për vendim autonom (ani që prapë dikush mund të çohet e ta akuzojë gjyqtarin Llaban për ndonjë gjë). Shumë mirë për të gjithë ne është që të mos shkojmë në zgjedhje, për shkak se jemi lodhur, materialisht, fizikisht dhe psikikisht. Pazarxhinjtë që nuk kanë punë tjetër pos të na i prishin nervat me interesat e tyre, nuk e kuptojnë këtë, sepse jetojnë në një botë tjetër, imagjinare, dhe të mirëmbajtur nga buxheti i Kosovës. Dikur pyesja kush na ka nëmur. Tash me gjasë e kuptova: ne veten.

“Tregoji gjyshit, çka me u bâ kur të rritesh?

President!

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Jo, gjyshit, president unë. Ti zgjedh diçka tjetër.”

Kjo ka qenë ndër barsoletat më të famshme të kohës, në të ’90-at e shekullit të shkuar, dhe natyrisht, i referohej Ibrahim Rugovës, kryetarit të Republikës së Kosovës, i votuar në bazë të Kushtetutës së Kaçanikut, përkatësisht amendamentit të 2 majit të 1992-tës.

Termin “president” e imponoi Rugova dhe e futi në përdorim të gjerë, duke dashur, mbase, të përçonte porosinë te populli që jetonte në botën e vet paralele, se e kishte fuqinë e atij Presidenti përnjëmend, atij të Amerikës, që ka stemë e ka vule.

Rugova do të kalonte nëpër katër palë zgjedhjesh: të parat do t’i fitonte në formë referendumi; të dytat do t’i mbante, në kundërshtim me Kushtetutën e Kaçanikut dy vjet përtej mandatit dhe në mes të luftës, vetëm tri javë pasi që kishin ndodhur dy masakra të mëdha. Në zgjedhjet gjerësisht të bojkotuara, do ta ripërtërinte titullin të cilin do ta mbante deri në vdekje më 2006.

Që të dy këto palë zgjedhje ishin me votë popullore.

Më 2001, partia e tij doli fituese, por me shumicë të pamjaftueshme për t’i mbajtur të tri postet. Kryetar Kuvendi tashmë ishte zgjedhur Nexhat Daci, kishte mbetur të zgjidhej kryeministri dhe kryetari, që me Kornizën Kushtetuese kishte marrë trajtën “president”.

Nuk hiqte dorë nga kërkesa e të dyja posteve, dhe u shkaktua kriza e parë që na la pa qeveri (sado me kompetenca të cunguara) nja katër muaj. Dikur vendosi të mos hiqte dorë nga vetëm njëri post: ai i kryetarit dhe ta pranonte një qeveri koalicioni LDK-PDK-AAK me Bajram Rexhepin në krye. Gjatë mandatit, do ta dizajnonte vetë stemën e zyrës së kryetarit të shtetit, pavarësisht se fuqitë i kishte kryesisht ceremoniale. Përbëhej nga shqiponja dykrenore e artë në mes; rrethi me mbishkrimin “Presidenti i Kosovës” dhe ngjyrat kaltër dhe ar.

Më 2004, zgjedhjet do ta nxirrnin LDK-në sërish fituese, por sërish pa shumicë të mjaftueshme për krejt. Daci sërish do të ishte kryetar Kuvendi, dhe Rugova, për ta mbajtur për vete postin e kryetarit, do t’ia dorëzonte qeverinë Ramush Haradinajt që kishte vetëm 9 deputetë.

* * *

Kjo është zanafilla e problemit “kryetari i shtetit”. Nisi me pazar dhe deri më 2021 mbeti pazar. Më 2021 u shndërrua në peshkim, kurse më 2026 mbeti në gjysmë të rrugës në emër në konsensusit, që në esencë përfaqëson sportin nacional të shqiptarëve: inatin.

Më 2006, posti u trashëgua nga LDK-ja, përkatësisht nga Fatmir Sejdiu, i cili u shpall shkelës i Kushtetutës, për pasojë dha dorëheqje. Doli nga zyra tash edhe me vulë të presidentit. Si në Amerikë.

Mandej erdhi zgjedhja e kurdisur e Pacollit që doli të ishte jokushtetuese. Posti i kryetarit ishte tagri që duhej paguar Thaçi për t’u bërë kryeministër. Mandej ndodhi marrëveshja kundërkushtetuese mes Thaçit, Mustafës dhe Pacollit në regjinë e ambasadorit amerikan Christopher Dell që kulmoi me nxjerrjen nga zarfi i emrit të Atifete Jahjagës, së cilës i caktohej mandati 18 mujor, a kështu diçka, e që më pas të shkohej në zgjedhje. Vetëm Jahjaga është zgjedhur në rundin e parë me 80 vota. Kjo mbetet e shënuar në histori.

Erdhi koalicioni i radhës: PDK-LDK dhe ambicia e Thaçit për t’u bërë kryetar bëri që Mustafa të bëhet kryeministër. Votat u siguruan me shumë trysni nga Mustafa dhe disa shpërblime të Thaçit me poste ambasadorësh e të ngjashme për ata që kundërshtonin zgjedhjen e tij.

Më 2021 i erdhi radha zgjedhjes së Vjosa Osmanit me propozimin e VV-së. Në tentimin e parë nuk kishte kuorum, në të dytin u sigurua, për shkak se Abdixhiku vendosi që LDK-ja duhej të qëndronte në sallë. Votat u peshkuan pak nga PDK, pak nga AAK, pak nga LDK dhe u mbërrit 71-i, i cili e bëri Osmanin kryetare.

* * *

Pardje i erdhi radha zgjedhjes së re. Dikush thotë në ditën e fundit të një afati 30-ditor, dikush në ditën e parë të një afati 60-ditor. Para kësaj, u zvarrit tema nja dy-tri javë të mira; u mbajtën ca takime mes liderësh politikë kinse për të gjetur kandidat konsensual dhe që të gjithë iu hodhën asaj klasikes, “hajde dikë nga familja Jashari”. Pa e pasur parasysh as dëshirën e anëtarëve familjes, e as faktin se njerëzit duhen përzgjedhur për cilësitë individuale, e jo pse janë trashëgimtarë të një trungu familjar.

Sido që të jetë, doli pak a shumë ajo që pritej: që Glauk Konjufca të kandidohej nga VV-ja; që partitë opozitare të kërcënonin me zgjedhje të reja me gjithë rrezikun që ata të përfundojnë të etiketuar si fajtorë për moszgjedhjen eventuale, dhe, që askush të mos e kandidonte Vjosa Osmanin për mandatin e dytë.

Se Osmani nuk mund të llogariste në votat e VV-së u bë e qartë menjëherë pas zgjedhjeve, kur Kurti refuzoi të përgjigjej për çështjen e zgjedhjes së kryetarit/es. Ndërkohë, partitë opozitare prej kohësh e kishin akuzuar atë që nuk përfaqësonte unitetin dhe se i kishte shërbyer agjendës së Kurtit, duke e humbur neutralitetin.

E në esencë, Osmani më së shumti është kujdesur për agjendën e vet, me disa gafa serioze, që në fund, nuk i bënë mirë Kosovës.

Shkëndija e krejt pingpongut që ndodhi në ditën e djeshme qe një deklaratë e shefes së GP të VV-së në Kuvend, Arbërie Nagavci, e cila para disa ditësh doli e tha se si VV-ja ia kishte ofruar 30 nënshkrime Osmanit, por që kjo i kishte refuzuar. Pasoi një fletërrufe në FB – zyra e Osmanit e demantonte këtë që e kishte thënë Nagavci. Për të pasuar pak më vonë me precizimin se ajo që po e kërkonte Osmani ishin 57 votat e VV-së, e jo vetëm 30 nënshkrimet.

Të nesërmen, Osmani paraqiti amendamentin me të cilin kërkohet zgjedhja e kryetarit nga vota e përgjithshme dhe këtë na e bëri me dije nëpërmjet FB-së. Me shpejtësi të dritës, gjithashtu në FB, u përgjigj Albulena Haxhiu duke thënë se edhe ajo e përkrahte nismën, dhe e ftoi Komisionin për legjislacion që të merret me të. Komisioni u mblodh, u ftua seanca dhe u mbyll: në të nuk merrnin pjesë deputetët e LS, pa të cilët asnjë amendament i Kushtetutës nuk kalon. Por, fakti se Osmani e nxori amendamentin në ditën e fundit të asaj që konsiderohet afat i fundit për zgjedhje, flet për ambicien e saj shumë të madhe për të mbetur në post, me një veprim të çastit të fundit me shumë pak gjasa për sukses. Ka pasur pesë vjet kohë për ta paraqitur atë. Pse nuk e ka bërë? Për shkak se me gjasë e ka besuar se do të rizgjidhej pa asnjë dilemë.

Pak para gjysmës së natës, u thirr seanca për zgjedhjen e kryetarit. VV-ja listës ia shtoi edhe Fatmire Kollçakun, për ta plotësuar kushtin formal. Por në sallë mbetën vetëm deputetët e koalicionit. Nuk kishte kuorum për votim. Dhe seanca u shty, por jo pa treguar se kjo çështje tash do të përfundojë në Kushtetuese për saktësim e interpretim – nëse deputetët e kanë shkelur Kushtetutën kur nuk kanë qëndruar në sallë dhe nuk kanë votuar.

E premtja gdhiu me një konferencë shtypi dhe me dekretimin e shpërndarjes së Kuvendit nga Osmani. Veprim tepër i nxituar, që ka mundur të priste fundja ndonjë orë, nëse jo edhe ndonjë ditë, duke e ditur se çështja do të shkojë në Kushtetuese dhe që gjasat janë të mëdha që Kushtetuesja ta miratojë masën e përkohshme deri në vendimmarrje.

Më pas u ngut që t’i thërriste kryetarët e partive për ta diskutuar datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme. VV-ja dhe LS-ja nuk i shkuan në takim.

* * *

VV-ja po akuzohet se po do që t’i mbajë të tri postet për vete. Në konstelacionin aktual, është gjë që mund ta bëjë, sepse ligjërisht i ka numrat për ta votuar cilindo kandidat në rundin e tretë. E, a është moralisht në rregull, ajo është çështje tjetër. Por, ajo që duhet diskutuar është përse VV-ja, në çfarëdo procesi më të madh, shikon të gjejë zbrazëtira juridike në Kushtetutë, e t’ua japë interpretimin siç i konvenon asaj.

Përse duhet të gjithë ne të bëhemi pengje të veprimeve meskine të politikanëve të papjekur e inatçorë që ama bash pesë pare nuk i japin për popullin. Po të ishte e kundërta, shumë më ndryshe do t’i kishim punët. Gjithsesi më mirë.

Nga ana tjetër, PDK-ja dhe LDK-ja po e luajnë rolin e primadonave të ofenduara dhe shantazhojnë aty ku aktgjykimi i Kushtetueses nuk ka lënë hapësirë shmangieje – me mospjesëmarrje në seancë, as pa treguar arsyen e as pa u lajmëruar te kryetarja e Kuvendit.

Që të dyja partitë e dinë se me u mbledhë madje bashkë me LS-në, nuk i kanë 61 vota për ta kaluar ndonjë kandidat tyrin. Dhe duke u kërcënuar me zgjedhje të parakohshme, që më së paku atyre do të mund t’u konvenonin, pavarësisht aleancave të reja të mundshme edhe me Osmanin madje, nuk shkuan në seancë. Por shkuan te Osmani për datë të re – pa i dhënë hapësirë Kushtetueses që të flasë.

Osmani, e cila me gjasë do të dalë figura tragjike e gjithë këtij cirku, ka besuar se kandidimin dhe rizgjedhjen e ka të sigurt, ngase, pa dyshim, gëzon popullaritet në masë. Porse në pesë vjetët e mandatit, ka djegur shumë ura që e kanë shpënë në maje të shtetit dhe e ka projektuar veten si “njeriu i Amerikës” (mbase për këtë arsye do të ketë shkuar 20 herë në Amerikë gjatë 5 vjetësh mandati), e vetmja që mund ta mbajë të gjallë dialogun strategjik me Amerikën, që ja, “këta tjerët janë duke e rrënuar”.

Nëse Kushtetuesja konstaton se dekreti i saj i djeshëm është kundërkushtetues, kjo do të jetë edhe goditje e rëndë nga aspekti profesional – sepse me gjithë përgatitjen që e ka, është dashur ta lexojë Kushtetutën jo me sy inati, po me sy norme.

* * *

Mirë është që Kushtetueses t’i jepet hapësirë për veprim dhe për vendim autonom (ani që prapë dikush mund të çohet e ta akuzojë gjyqtarin Llaban për ndonjë gjë).

Shumë mirë për të gjithë ne është që të mos shkojmë në zgjedhje, për shkak se jemi lodhur, materialisht, fizikisht dhe psikikisht. Pazarxhinjtë që nuk kanë punë tjetër pos të na i prishin nervat me interesat e tyre, nuk e kuptojnë këtë, sepse jetojnë në një botë tjetër, imagjinare, dhe të mirëmbajtur nga buxheti i Kosovës.

Dikur pyesja kush na ka nëmur. Tash me gjasë e kuptova: ne veten.

[email protected]