Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Polonia dhe mrekullia që e solli hyrja në Bashkimin Evropian

Polonia, dikur e varfër nën komunizëm, është shndërruar pas hyrjes në BE në një tigër ekonomik dhe fuqi të re ushtarake. Kosova dhe Shqipëria, me gjithë përparimin, mbeten të penguara nga tri K-të: korrupsioni, kriminaliteti dhe klientelizmi

Kohërat kur shqiptarët e Kosovës merrnin trenin në Fushë-Kosovë dhe, nëpërmjet Vjenës, Budapestit e Pragës, vazhdonin udhëtimin me tren drejt Varshavës, duken shumë të largëta, pothuajse të harruara. Në fund të viteve ‘70 turisti nga Kosova mund të sillej paksa si kapitalist në Poloninë e varfër, të nënshtruar nga komunizmi dhe nga sistemi sovjetik i ekonomisë së dirigjuar.

Nëse nacionalistët serbë nuk do të fillonin plojën e madhe me luftëra nga Sllovenia në Kosovë dhe sikur shpërbërja e Jugosllavisë të ndodhte me ujdi mes të gjitha palëve dhe me pavarësinë e njësive konstituive të federatës jugosllave, përfshirë edhe Kosovën, me gjasë shtetet e dala nga ish-Jugosllavia sot do të mund të krahasoheshin me Poloninë. Dhe do të ishin pjesë e BE-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Po të shikohen ballinat e revistave perëndimore të muajve të fundit, një gjë bie në sy: Polonia si tigër ekonomik jo vetëm i Evropës Lindore, por i mbarë Evropës. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sa u përket të ardhurave për kokë banori, Polonia (58,560 dollarë) e ka tejkaluar Japoninë (56,440 dollarë).

Sot Polonia ka ushtrinë tokësore më të madhe në Bashkimin Evropian. Pas SHBA-së dhe Turqisë, armata polake është e treta për nga madhësia në NATO. Polonia ka sot popullsinë e pestë më të madhe dhe ekonominë e gjashtë më të madhe në BE. Këtë vit, sipas gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Polonia e ka ndërmend të harxhojë rreth 45 miliardë euro për mbrojtje (ose gati 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto). Kryeministri liberal polak, Donald Tusk, i njohur me deklaratën e tij ironike se një Donald i mjafton botës, shkroi së fundi në rrjetin X: “Nëse ne, evropianët, dështojmë të shpenzojmë shuma të mëdha për mbrojtjen tani, do të detyrohemi të shpenzojmë 10 herë më shumë nëse nuk parandalojmë një luftë më të gjerë. Si kryeministër i Polonisë, kam të drejtën ta them këtë qartë dhe zëshëm, pasi Polonia tashmë shpenzon pothuajse 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Shkalla e papunësisë në Poloni, me 3.2 për qind, është e dyta më e ulët në BE. Që nga anëtarësimi në BE në vitin 2004, Polonia ka marrë rreth 300 miliardë euro për investime në infrastrukturë dhe ndërmarrje. Të themelosh një ndërmarrje në Poloni është e thjeshtë dhe pa burokraci. Për këtë duhen vetëm pak klikime. Shumë polakë që kanë emigruar në Perëndim në vitet ‘90 apo më vonë, po kthehen në atdheun e tyre.

Sipas një kronike të radios publike gjermane, në prodhimin e energjisë elektrike Polonia është ende e varur nga qymyri. Megjithatë, brenda një dekade Polonia ka arritur ta ulë pjesën e qymyrgurit dhe të linjitit nga 90 në 60 për qind. Në 20 vjetët e ardhshëm, energjia bërthamore pritet të zëvendësojë qymyrin, së bashku me gazin dhe energjitë e rinovueshme. Deri më tani, Polonia nuk ka ende centrale bërthamore. Ndërtimi i centralit të parë bërthamor pritet të fillojë në vitin 2028 dhe të përfundojë dhjetë vjet më vonë.

Qytetarët e Kosovës që e kanë mbijetuar luftën tani jetojnë në dekadën e tretë të lirisë. Qytetarët e Shqipërisë jetojnë në dekadën e katërt pas rrëzimit të komunizmit. A jetohet në Tiranë më mirë se në vitin 1991 dhe a jetohet më mirë në Prishtinë se në vitin 2000? Po. Kjo, madje, është pyetje e tepërt. Përparimi nuk mund të injorohet. Por shanset për modernizim, zhvillim, përparim nuk janë shfrytëzuar sa duhet për shkak të tri K-ve: korrupsion, kriminalitet dhe klientelizëm.

Me Poloninë nuk mund të krahasohen as Kosova, as Shqipëria, dhe nuk do të ishte korrekte të bëhet kjo për shkak të parakushteve dhe rrethanave të ndryshme. Por shikimi ndaj vendeve të tjera do të duhej t’i ndihmonte si zgjedhësit, ashtu edhe elitat politike, të pyesnin: çfarë nuk po shkon mirë në viset shqiptare, aty ku shqiptarët e kanë pushtetin?

PS. Sot është 17 Shkurti, përvjetori i Pavarësisë së Kosovës. Si shtet, Kosova mbush 18 vjet. Është koha e fundit për të shikuar përpara. Sepse, siç ka thënë nobelistja polake e letërsisë, Wisława Szymborska: Asgjë nuk ndodh dy herë.