Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Tragjikomedi alla kosovarçe

Në vend se të merremi me mirëqenien tonë me ndonjë perspektivë më të ndritshme, ne merremi me telenovelën “E zgjedhim kryetarin”. Sipas skenarit, aty gjithmonë dikush rren, dikush mashtron, dikush hakmerret, dikush është viktimë, dikush del prej kornerit… edhe në fund: everybody happy… deri në vazhdimin e serisë së dytë

Dhe ndodhi ajo që pritej: Gjykata Kushtetuese shpalli masën e përkohshme dhe i dha vetes nja tri javë kohë për të vendosur në lidhje me rastet e hapura nga Haxhiu në emër të Kuvendit dhe Kurtit në emër të Qeverisë, në lidhje me procedurën e (pa)konsumuar për zgjedhjen e kryetarit të shtetit dhe dekretin e kontestuar të Osmanit për ta shpërndarë Kuvendin.

Deri më 31 mars nuk kemi Kuvend, dhe kemi luftë në rrjete sociale, si dhe në mediume se kush doli më viktimë nga i gjithë ky proces. Osmani zgjodhi një medium në Shqipëri për t’i qarë hallet e saj – duke e përçuar porosinë se Kurti e paskësh prerë në besë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti, me mençuri, nuk u mor me deklaratat e Osmanit – këtë e bënë zyrtarët më të ulët të partisë, ndërkohë që nga fundi i javës u bëri ftesë partive opozitare që të takoheshin për ta shqyrtuar çështjen e kryetarit të shtetit ashtu që të shmangen zgjedhjet e përgjithshme, që opozita e llogarit do të jenë me rezultate të ndryshuara që mund t’ia marrin shumicën absolute VV-së.

* * *

Natyrshëm dhe mençur, opozitarët u përgjigjën pozitivisht, por me kusht: takimi apo takimet nuk do të duhej të mbaheshin para se të dihet vendimi i Kushtetueses në lidhje me të dy ngjarjet – nëse afati prej 30 ditësh është relativ dhe se nuk është ezauruar, për shkak se procedura është nisur, por nuk është konsumuar dhe nëse dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është kushtetues.

Dhe, kanë të drejtë. Për shkak se nga Kushtetuesja do të varet nëse e gjitha kthehet në pikën zero; nëse do të kërkohet vazhdimi i seancës dhe i përpjekjeve për zgjedhje brenda afatit 60-ditor, apo nëse Kosova shkon në zgjedhje. Apo mbase do të kemi edhe ndonjë interpretim të ri sui generis që do të na befasojë. Sërish.

Në situatën hipotetike se e gjitha kthehet në pikën zero, dhe pa paragjykuar se Kushtetuesja do t’i detyrojë deputetët që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë për, kundër apo të abstenojnë, do të jetë zor që të kalojë kandidati favorit i VV-së, pavarësisht se partia qeverisëse i ka, nominalisht, votat për rundin e tretë. Opozitës do t’i konvenojnë zgjedhjet, marrë parasysh zhvillimet e ditëve të fundit.

Në situatën e dytë hipotetike që Kushtetuesja të vendosë se seanca duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur, më nuk do të ketë mundësi, as procedurale, që të ndryshojnë emrat e kandidatëve të propozuar (pos nëse ata tërhiqen – e ky opsion nuk e di a parashihet me ndonjë akt ligjor-kushtetues). Dhe nëse Kushtetuesja insiston që deputetët duhet të jenë në sallë, atëherë nuk duket se ka shumë opsione pos që të votohen kandidatët e paraqitur tashmë nga VV-ja.

Situata e tretë hipotetike është se dekreti i Osmanit shpallet kushtetues dhe Kosova shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh apo mbase edhe 60 ditësh, varësisht se çfarë interpretimi do t’i jepet dispozitës që përmban afatin e zgjedhjes së kryetarit të shtetit. Pra mesi i prillit apo edhe fillimi i majit janë opsion, pavarësisht takimit konsultativ që e mbajti Osmani në ditën kur e nënshkroi dekretin.

* * *

Tashmë është mbushur një vit i plotë që kur nisi kriza politike, që kulmoi me dy palë zgjedhje brenda një viti kalendarik e që mund të pasohet edhe nga një palë zgjedhje, të cilat objektivisht nuk do të duhej të ndodhnin. Përfundimisht nuk është në interes të Kosovës që në kohën kur inflacioni është duke na e hëngër kokën dhe kur pak gjë është duke funksionuar si duhet, që sërish të dalim të votojmë ofertën e njëllojtë që na u ofrua në dy palë zgjedhjet e shkuara. Nejse, me ndryshimin e vogël dhe të mundshëm: kthimin e Vjosa Osmanit në LDK e bashkë me të edhe një numri të caktuar njerëzish që iu bashkuan në Listën Guxo, nga e cila tash janë duke u larguar në formë të koordinuar ardhja eventuale e Osmanit në LDK do të jetë shtysë për këtë parti, ngase, tashmë e kemi thënë, Osmani gëzon popullaritet dhe shumëkush e konsideroi moskandidimin e saj të sërishëm si tradhti të VV-së ndaj saj. Dhe kjo me automatizëm nënkupton se një pjesë e votuesve do të kthehen nga kjo parti në zgjedhjet eventuale që do të mund të mbaheshin. Dhe varësisht nga performanca e saj eventuale, e besoj se Lumir Abdixhikut do të mund t’i rrezikohej posti i të parit në këtë parti.

Hamendësoj se Abdixhiku me vetëdije i hyn këtij basti të rrezikshëm për të, me qëllimin për ta forcuar pozitën e partisë së tij në nivel nacional. Po qe se do të ketë zgjedhje tash, gjasat janë që ky ribashkim të ndodhë menjëherë pas skadimit të mandatit të Osmanit, në javën e parë të prillit.

Ribashkim i shpejtë që mund të ndodhë edhe nëse nuk ka zgjedhje tash, por ka ndërtim strategjie për zgjedhjet e radhës, kurdo që ndodhin. Ribashkim i cili do të shkaktojë probleme të brendshme në strukturat udhëheqëse të LDK-së, ngase tashmë dihet se një numër i figurave brenda LDK-së nuk e kanë Osmanin për qejfi e që madje kur është zgjedhur kryetare, kishin refuzuar ta votonin.

* * *

E se çështja e kryetarit tashmë e kaluar kufirin e pazareve politike për këtë post, është më se evidente, dhe se ka shumë kohë që kjo çështje është dashur të zgjidhej ndryshe, pra me zgjedhje të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Kjo, pa prekur në sistemin politik të shtetit – pra Kosova do të mbetej Republikë parlamentare, kurse kryetari i shtetit do t’i mbante prerogativat aktuale të përcaktuara me Kushtetutë pa shumë hapësirë për veprime diskrecionale siç i gëzon, për shembull, kryetari i shtetit në Kroaci.

Se përse partitë politike dhe vetë Osmani nuk e kanë parë të arsyeshme të merren me këtë temë që nga 2011-a, zor se do ta marrim vesh përnjëmend. Vetëm do të mund të supozojmë se e kanë ruajtur mundësinë për atë çfarë ka shërbyer përherë: për pazare.

Veprimi në panik i Osmanit, kur mori vesh se nuk do të ishte kandidate për rizgjedhje, i aktivizimit të amendamenteve, një ditë para skadimit të asaj që njihet si 30-ditëshi, pa asnjë paralajmërim, pa as më të voglën përpjekje për t’i konsultuar propozimet me partitë parlamentare, qe kronikë e një dështimi të paralajmëruar. Së bashku me seancën e organizuar kot.

Por teksti i propozuar i amendamenteve, që u bë publik dje, e zbuloi amendamentin IV, që linte hapësirë për shumë interpretime, po qe se do të kalonte ashtu siç ishte formuluar:

“Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute:

(1) Mandati i presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin.

(2) Presidentët që kanë shërbyer para hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve kanë të drejtë të zgjidhen dhe rizgjidhen edhe një herë si president i Republikës së Kosovës”.

Logjika po ma thotë se me këtë amendament, Osmani e synonte një kapixhik për t'ia zgjatur vetes mandatin ndoshta edhe për pesë vjet, si dhe për t'ia mundësuar vetes rigarimin po qe se do të mbaheshin zgjedhjet me votë popullore. Pra, në fakt tri mandate, eventualisht. Kjo, ngase në amendamentin 3 ka shkruar se zgjedhjet shpallen 6 muaj para se t'i skadojë mandati i rregullt kryetarit.

* * *

Kjo tregon se puna e amendamenteve kërkon seriozitet shumë më të madh. Ato duhen të shqyrtohen gjerësisht, të elaborohen me shumë saktësi dhe me sa më pak dëme eventuale në të ardhmen, për shkak të formulimeve të cunguara siç është teksti i këtij amendamenti.

Se që kryetari/ja i/e shtetit duhet të zgjidhet, më mirë herët se vonë, me votë popullore, nuk e besoj se ka hapësirë për çfarëdo dileme. Kriza, në të cilën na kanë futur egot e politikanëve tanë për pikë të inatit të ndërsjellë, e dëshmon këtë më mirë se asgjë tjetër.

Në vend se të merremi me mirëqenien tonë me ndonjë perspektivë më të ndritshme, ne merremi me telenovelën “E zgjedhim kryetarin”. Sipas skenarit, aty gjithmonë dikush rren, dikush mashtron, dikush hakmerret, dikush është viktimë, dikush del prej kornerit… edhe në fund: everybody happy…

…deri në vazhdimin e serisë së dytë.

Tragjikomedi alla kosovarçe!

[email protected]