Kronikë

18 viktima të vrasjeve brenda familjes, shkak mungesa e kontrollit të armëve dhe pandemia

Shiriti i policise

Pasditen e 25 dhjetorit Miran Halili nga Prizreni sulmoi me thikë babanë e tij duke e lënë atë të vdekur.

Derisa pretendohej se rasti ndodhi pas një zënke brenda familjes, kjo u mohua shpejt nga vetë ata.

Në një postim në rrjetet sociale ata treguan se Miran Halili vuante nga çrregullimet mendore.

“Fillimisht nuk ka qenë zënkë në familje e t’u vijë turp atyre që e nxorën lajmin të tillë. Ai që kreu krimin, vëllai im, është i sëmurë psikik, ka çrregullime personaliteti, skizofreni dhe depresion. Ne ka 10 vjet që e vuajmë këtë çrregullim të tijin”, shkroi Agan Halili, vëllai i Miranit.

Agan Halili fajin e hedh mbi institucionet e shëndetit mendor në Kosovë që, sipas tij, dështuan në përmirësimin e gjendjes së vëllait të tyre.

“Vëllai ka qenë në trajtim disa herë në Prishtinë, është mjekuar e më pas është liruar pa protokoll të qartë nga spitali, pa udhëzues të qartë se si duhet të shkojë trajtimi në vijim. Vëllai ka qenë i dhunshëm dhe jemi detyruar disa herë ta çonim sërish në Psikiatri, në Prishtinë, e shumë herë të tjera kemi kërkuar ndihmën e policisë”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore e Prizrenit dy herë kishte kërkuar ekzaminim psikiatrik të Halilit.

E të dy këto herët nga Instituti i Psikiatrisë Forenzika është rekomanduar se ai mund të trajtohet në liri.

“Tek rasti konkret vlerësimi ka qenë ambulantor me urdhër të gjykatës. Atë e kemi bërë dy herë më 2018, më saktësisht më 18 tetor dhe vlerësimi tjetër ka qenë 30 gusht 2019. Kanë qenë dy ekipe të ndryshme në vlerësimin e tij, por edhe pse kanë qenë dy ekipe të ndryshme, vlerësimi ka qenë i njëjtë. Në bazë të asaj që kanë gjetur ekipet multidisiplinare në kuadër të Institutit, rasti në fjalë është që ka qenë përdorues i substancave, abuzues i substancave psikoaktive, kanaboideve dhe njëkohësisht diagnoza skizofreni paranoide që praktikisht është një sëmundje kronike , pra një sëmundje e çrregullimit mendor të rëndë. Rekomandimi ynë për të dy herët ka qenë ky mund të trajtohet ose ka mundësi të trajtohet në liri”, ka deklaruar Gani Halilaj, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

Pas vrasjes që kreu Miran Halili, Gjykata edhe një herë ka kërkuar që atij t’i bëhet një ekzaminim, në mënyrë që të vendoset se si do të trajtohet rasti i tij në proces gjyqësor dhe në aktakuzë nga ana e Prokurorisë.

“Vendimi është lëshuar, atij duhet t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik. Faktikisht, kurdo që Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka vende të lira atëherë ai ekzaminohet, pasi të përpilohet raporti, vjen në prokurori dhe në bazë të raportit ne shohim se me cilën metodë të hetimit do të shkojmë më tutje. D.m.th. a ka ai person probleme mendore apo jo. Nëse del që ai ka probleme mendore, atëherë do të zbatohet procedura penale për persona me probleme mendore. Nëse nuk ka probleme të tilla, atëherë zbatohet procedura penale standarde”, është shprehur Ervehe Gashi, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Halili gjendet në paraburgim që nga 25 dhjetori, dita kur ai kreu vrasjen.

Atij ende nuk i është bërë ekzaminimi për shkak të mungesës së hapësirës në Institutin e Psikiatrisë Forenzike.

“Në repartin ku duhet të trajtohet personi në fjalë, repartin C, i kemi 12 shtretër është e pamundur të absorbojë të gjitha rastet të cilat ndodhen në situatat e tilla që duhet t’u bëhet një vlerësim apo trajtim nëse ka nevojë dhe e kemi listën që e caktojmë sipas prioriteteve, sipas rasteve. Kështu që me siguri javën që vjen do të lirohen 1 ose dy shtretër dhe rasti në fjalë do të merret në evoluim që do ta bëjë ekipi i Institutit”, ka shtuar Gani Halilaj, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike.

E kjo nuk është vrasja e vetme që ka ndodhur gjatë 2020-s e që lidhet me shëndetin mendor të kryerësve të këtij akti.

Në shkurt të vitit të kaluar një pjesëtare e policisë me armë zjarri vrau nënën, të atin dhe dy vëllezërit e pastaj edhe veten.

Policja Valdete Bllaca kishte pasur çrregullime mendore, gjë që është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Gjilanit gjatë hetimeve dhe pas ekzaminimit të vdekjes që i është bërë nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.

“Nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike është kërkuar ekspertizë për gjendjen e tani të ndjerës V.B., sipas së cilës është konstatuar se e ndjera ka vuajtur nga çrregullimi i personalitetit paranoid, prandaj edhe nuk i është lejuar mbajtja e armës dhe i është rekomanduar ndërrimi i vendit të punës”, është thënë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Në një komunikatë të 5 gushtit të vitit të kaluar, Prokuroria kishte njoftuar për mbylljen e hetimeve dhe kishte sqaruar se vrasja nuk ka qenë e shkaktuar nga veprimet inkriminuese të personave të tjerë.

Mirëpo hetimet kanë vazhduar për mënyrën se si ka arritur deri te arma e saj zyrtare që nuk i lejohej ta mbante.

Dhe për këtë më 5 janar të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Gjilanit në një përgjigje për “Interaktiv” ka treguar se ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari policor.

“Më 5 janar 2021, Prokuroria Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit XH.A., për shkak të veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, pasi i njëjti si person zyrtar – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë, duke mos ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, e ndjera V.B. kishte arritur t’i fotokopjonte çelësat e zyrës dhe sirtarit të metalit, ku nga aty kishte marrë armën e saj zyrtare me të cilën ka vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe në fund ka kryer vetëvrasje”, thuhet tutje në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

E njëjta prokurori po vazhdon hetimet rreth vrasjes së katërfishtë në Pozharan të Vitisë, ky kryefamiljari më 30 dhjetor të 2020-s vrau dy djemtë e tij dhe bashkëshorten, për t’ia marrë në fund jetën edhe vetes.

Rrethanat mbeten ende të paqarta, meqë familja jetonte në Zvicër e në Kosovë ndodhej në pushime.

Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prizrenit po trajton edhe rastin e fundvitit të kaluar, ku një zyrtar policor vrau të bijën e pastaj edhe veten.

Sipas dëshmitarëve, kjo ndodhi aksidentalisht.

E prokurorja Ervehe Gashi për këtë rast tha se ende po kryhen hetime e nuk ka dhënë shumë detaje.

Ndërkohë që një vrasje tjetër e kryer po ashtu në Prizren gjatë janarit të vitit 2020, ku një i ri vrau të dy prindërit, rasti tashmë ka shkuar tek organet e hetuesisë në Suedi.

“Në rastin kur djali i ka vra të dy prindërit, Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar hetimin ndaj tij edhe i ka zbatu hetimet por ai ka qenë në arrati. Prej faktit që e ka pasë nënshtetësinë suedeze, Suedia ka kërkuar që hetimet të transferohen atje, pasi shteti kërkues i Kosovës nuk e ka bërë transferin e të pandehurit nga atje. Kështu që të gjithë procedurën hetuese që e kemi zhvillu në Kosovë, pikërisht në Prizren, e kemi dërgu në Suedi”, ka thënë Ervehe Gashi, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prizren.

Rastet e vrasjeve në familjet kosovare kanë shënuar rritje gjatë kohës së pandemisë.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim ka njoftuar se janë regjistruar 8 raste të tilla, pa përfshirë të dhënat për muajin dhjetor.

Në dhjetor janë regjistruar edhe dy raste të tjera, duke e rritur kështu numrin në 10, raste që rezultuan me 18 viktima.

Sociologia Rina Braimi pandeminë e konsideron një prej faktorëve që ka çuar në rritjen e rasteve të tilla.

“Pandemia shumë raporte që kanë qenë të acaruara në mes të familjes apo që nuk kanë qenë në harmoni i ka acaru edhe më tepër për shkak që një kohë të madhe e kemi shpenzu në shtëpi edhe nuk kemi mujt me e balancu me aktivitete të tjera të cilat i kemi pasë në të kaluarën në përditshmëri. Një prej aspekteve kryesore ka qenë edhe gjendja ekonomike që është në Kosovë”, është shprehur Rina Braimi, sociologe.

Por Braimi natyrën e këtyre rasteve e lidh edhe me mungesën e kontrollimit të armëve të zjarrit nga ana e institucioneve.

“Faktor tjetër është kontrolli i armëve, qoftë tregu legal apo ai ilegal i armëve, duhet me pasë prej institucioneve një kontroll pak ma të lartë. Kush janë personat të cilët mund të posedojnë armë dhe në tragjedinë siç ishte rasti i fundit në Kosovë, kjo pak ka rëndësi, sepse në hapat paraprakë mundet me u ndalu një gjë e tillë”, shtoi ajo.

Policia e Kosovës për periudhën janar tetor të vitit 2020 ka konfiskuar 882 armë të llojeve të ndryshme dhe 11893 copë fishekë, kalibra të ndryshëm.