Kronikë

25 vjet burgim për vrasjen e 7 nëntorit 2024 në Gjilan

Paraburgim

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve V. S. dhe F. M., për veprat penale vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll të armëve dhe dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.

Sipas komunikatës së Gjykatës V.S. është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e S.O.. 

Sipas Gjykatës vrasja ka ndodhur me dashje e në shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetëve. 

“ ... me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “D...”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, modeli M-917-T, e kalibrit 9x17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. ndërron jetë”, thuhet në njoftim.

V.S. është shpallur fajtor edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të armëve. 

Ndërsa F.M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.

“I akuzuari F. M. nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin V. S. në fshehjen - mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe për kundër asaj që ishte prezentë kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka nxjerrë aktvendim të veçantë me të cilin u vazhdohet masa paraburgimit të pandehurve V. S. dhe F. M., derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit.