Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës po e zhvillojnë një aksion të përbashkët për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Sipas njoftimit zyrtar të dërguar nga Prokuroria, deri më tani, janë arrestuar dy persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të cilët dyshohen se kanë lëshuar certifikata për pajisje me leje armësh për qytetarë, pa iu nënshtruar procedurave të nevojshme ligjore. Poashtu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
“Është duke u zhvilluar një aksion i Prokurorisë bashkë me Policinë ndaj katër personave, dy nga ta për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dy të tjerë për pranim të ryshfetit në sektorin privat. Për informacione të tjera do t’ju njoftojmë me kohë”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala, për KOHËN .
Sipas Prokurorisë, tre burra dhe një grua dyshohen se janë përfshirë në veprat penale, duke marrë ryshfet nga persona të ndryshëm, të cilët janë pajisur me certifikatë për leje të armës pa prezencën e tyre, siç e parasheh ligji dhe procedurat tjera vijuese.
Gjatë kontrollit thuhet se janë sekuestruar përkohësisht: shtatë telefona celularë, dosje dhe dokumente relevante në lidhje me rastin, ndërsa personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.
MPB-ja mirëpret aksionin ku u arrestuan 4 të dyshuar, dy prej tyre zyrtarë të saj
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka thënë se mirëpret aksionin e përbashkët të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe Policisë së Kosovës që rezultoi me arrestimin e 4 të dyshuarve, dy prej tyre zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “marrjes së ryshfetit”.
"Ministria e Punëve të Brendshme, thekson se nuk do të tolerojë asnjë formë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo përfshirjes në aktivitete të paligjshme nga cilido zyrtar i saj. Çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe me standardet e integritetit institucional do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe në bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë. Ministria mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në çdo nivel institucional, duke garantuar se askush nuk do të jetë mbi ligjin. Në këtë drejtim, MPB do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet relevante për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend", ka njoftuar MPB.
Sipas njoftimit zyrtar të dërguar nga Prokuroria, deri më tani, janë arrestuar dy persona zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të cilët dyshohen se kanë lëshuar certifikata për pajisje me leje armësh për qytetarë, pa iu nënshtruar procedurave të nevojshme ligjore. Poashtu, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.