Kronikë

Aktakuzë për shitje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.M., për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat penale të shitjes së paautorizuar të narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës, më 11 gusht 2025 rreth orës 21:25, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, i pandehuri është ndaluar nga njësitet policore gjatë një kontrolli rutinë, teksa po lëvizte me automjetin e tij të tipit Audi A6. 

Gjatë kontrollit, në çantën e tij janë gjetur gjashtë qese me substancë narkotike.

Pas ndalimit, policia ka kryer bastisje në banesën e të pandehurit, ku janë sekuestruar substanca narkotike, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepëse dhe qese plastike, që dyshohet se përdoreshin për paketimin dhe shpërndarjen e drogës. 

Sipas raportit të Agjencisë së Forenzikës, substanca e sekuestruar rezultoi të jetë kokainë me peshë totale prej 342.06 gramësh.

Gjithashtu, gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri të tipit pistoletë me gaz të llojit Zoraki dhe një karikator, të cilat i pandehuri i mbante në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria e akuzon E.M. për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.