Kronikë

Aktakuzë për shpëlarje parash ndaj një personi, Prokuroria kërkon shuarjen e biznesit të tij

aktakuze

Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë kundër të pandehurit G.S për “shpëlarje të parasë”. Ai akuzohet se duke qenë në dijeni se shuma prej 898,937.84 euro buron nga veprimtaria kriminale, e ka pranuar dhe menaxhuar këtë pasuri “me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, disponimit, lëvizjes apo pronësisë së saj, gjatë periudhës kohore 2019–2023, përmes kontratave fiktive dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Në aktakuzë është përfshirë edhe një biznes pasi Prokuroria ka dyshim se ai është themeluar dhe përdorur nga i pandehuri me qëllim të qarkullimit të mjeteve dhe maskimit të produkteve të aktivitetit kriminal.

“Prona që është objekt i aktakuzës, e që përfshin pesë parcela tokësore në vlerë prej rreth 355,800.00 euro, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, është sekuestruar nga Gjykata dhe është propozuar konfiskimi i saj pas përfundimit të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që biznesi të gjobitet dhe t’i shqiptohet sanksion penal “Pushim i personit juridik”, ndërsa të pandehurit t’i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë.