Kronikë

Apeli lë në paraburgim 22 të dyshuarit për trafikim me drogë

arrest

Gjykata e Apelit ka lënë në paraburgim 22 të dyshuarit për trafikim me drogë. R.N., A.K., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., E.E., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O.V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., do të vazhdojnë të jenë në paraburgim pas arrestimit në fillim të qershorit.

Më 3 qershor u realizua operacioni antidrogë i koduar si “Qielli i Thyer” në rajonet e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe të Gjilanit, ku janë bastisur 47 lokacione.

Prokuroria Speciale së bashku me Policinë kanë theksuar se përmes këtij aksioni, ku kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë, është arritur shkatërrimi i një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë.

Sipas Prokurorisë, personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.