Kronikë

Arrestohen 3 policë, tejkaluan autorizimet duke keqtrajtuar fizikisht një të prangosur

Foto ilustrim

Foto: Ilustrim / Policia e Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Pejë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), kanë njoftuar se pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, të hënën kanë arrestuar tre  zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa ishte i prangosur.

Në njoftimin e përbashkët thuhet se me urdhër të prokurorit të shtetit, tre policët janë  ndaluar për 48 orë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”
“Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë  Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe  veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim. 

Të dielën IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre policëve në Klinë pasi dyshohej se ishin përfshirë në një incident më 28 qershor, në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

“Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët  policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”, thuhej në njoftim.

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar se viktima që u sulmua nga zyrtarët policorë ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është intervistuar në cilësinë e viktimës.