Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona me dyshimin se kanë kryer veprat penale “shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” dhe “fajde”.
Sipas njoftimit, njëri rast ka ndodhur në fshatin Gadime së Lipjanit e tjetri në Prishtinë, ku të arrestuarit janë S.T. 48-vjeçar dhe tjetri A.T., 21-vjeçar.
Ata dyshohet se janë përfshirë në rastin e një vetëvrasjeje më 14 maj në një sallon veturash.
“Arrestimi i të dyshuarve është përcjell me një operacion bastisjeje në dy lokacione të ndryshme, një në fshatin Gadime të komunës së Lipjanit, ndërkaq një në komunën e Prishtinës. Ndërkohë që Policia ka shpallur në kërkim të dyshuarin e tretë, tashmë i identifikuar, të arrestuarit me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor”, thuhet në njoftimin policor.