Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet edhe i dyshuari i dytë për vrasjen në Gjakovë, të parit i caktohet një muaj paraburgim

arrest

Është arrestuar edhe i dyshuari i dytë për vrasjen në Gjakovë që ndodhi më 5 maj. Policia njoftoi të enjten se ka identifikuar të dyshuarin dhe e ka dërguar në mbajtje për 48 orë. 

“Pas një pune hetimore  në lidhje me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari i dytë mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin e PK-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërsa të dyshuarit të parë për vrasjen, i cili ishte dorëzuar në Polici dy ditë më herët, Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar një muaj paraburgim.

Prokuroria ka shpjeguar në detaje se si ka ndodhur vrasja në paraqitjen e kërkesës për paraburgim. Sipas saj, fjalosja kishte nisur në veturë ku ishin të pranishëm pesë persona. Fjalosja kishte nisur mes Q.S. dhe  të pandehurit tjetër G.I., që është arrestuar dje nga Policia. Sipas Prokurorisë, ata kanë dalë nga vetura, kanë filluar konfliktin fizik mes tyre, ku Q.S. e nxjerr një brisk, por e godet të ndjerin R.B. në pjesën e majtë të gjoksit. Dëshmitarët Sh.Rr dhe R.Rr e dërgojnë me shpejtësi në Emergjencë viktimën, por nuk mund t’i bëjë ballë plagës.

“Me datën 5 maj 2026 rreth orës 02:30, në rrugën ‘Mbretëresha Teuta’ në Gjakovë, me dashje dhe me mjetë të mprehtë- brisk ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B. nga Gjakova, në atë mënyrë që si shkak i një mosmarrëveshje të çastit përderisa ndodheshin në automjetin Skoda, të cilën po e drejtonte dëshmitari Sh.Rr., e në të njëjtin automjet ndodheshin edhe dëshmitari R.Rr. dhe i pandehuri G.I., papritmas fillojnë fjalosjen në mes të pandehurve Q.S. dhe G.I. përderisa ndodheshin brenda në automjet, dalin nga automjeti dhe ashtu duke u fjalosur, fillon konflikti fizik mes tyre dhe papritmas i pandehuri Q.S., nxjerrë një brisk nga trupi i tij dhe e godet të ndjerin në pjesën e majtë të gjoksit në drejtim të zemrës, dëshmitarët Rr. e marrin viktimën dhe me të shpejtë e dërgojnë në ambulanten e qytetit, e më pas gjatë dërgimit për në Spitalin Rajonal-Reparti emergjencës ndërron jetë në ora 03:10 minuta, ku edhe është bërë konstatimi i vdekjes së tij nga mjeku kujdestar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Masa e paraburgimit vlen deri më 4 qershor.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.