Është arrestuar të mërkurën i dyshuari për vjedhjen e stolive të arit dhe parave të gatshme në vlerë mbi 21 mijë euro para rreth dy javësh në Prizren.
Arrestimi i të dyshuarit ka ndodhur pas dy bastisjeve të Policisë në fshatin Doblibare të Gjakovës dhe në rrugën “William Walker” në Prizren.
“Sipas deklarimeve të viktimave, nga banesa e tyre janë vjedhur: stoli ari në vlerë rreth 15,000 euro, para të gatshme rreth 3,000 euro, 7–8 çanta krahu femërore me marka të ndryshme në vlerë rreth 3,000 euro, vlera e përgjithshme e dëmit të deklaruar është rreth 21,000 euro. Pas një pune intensive hetimore, më datën 12 nëntor 2025 janë realizuar dy bastisje në lokacione të ndryshme, në fshatin Doblibare (Komuna e Gjakovës) dhe në rrugën ‘William Walker’ në Prizren”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I arrestuari është një 38-vjeçar me inicialet R.Gj. nga Doblibari i Gjakovës.
“Gjatë intervistimit, pas ballafaqimit me prova, i dyshuari ka pranuar kryerjen e veprës penale të ‘Vjedhjes së Rëndë’ më datën 31 tetor 2025”, thuhet në njoftim.
Me aktvendim të prokurorit të çështjes, i dyshuari dërgohet në ndalim për 48 orë.