Një 36-vjeçar është arrestuar të mërkurën në Aeroportin e Prishtinës, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në një rast të vjedhjes së raportuar më 23 korrik në veri të Mitrovicës.
Siç është bërë e ditur nga Policia, F.A., figuronte në sistemin policor si person i kërkuar.
Ai dyshohet se pati vjedhur disa dërrasa pune në një punishte, me vlerë rreth 750 euro.
“Sipas hetimeve, i dyshuari F.A., në bashkëkryerje me personin M.B. (32 vjeç) – i arrestuar më 19 gusht 2025 – dyshohet se kishin kryer veprën penale ‘Vjedhje’, duke vjedhur dërrasa pune në një punishte, me vlerë rreth 750 euro. I dyshuari është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi figuronte në sistemin policor si person i kërkuar”, thuhet në raportin e Policisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari pas intervistimit është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.