49-vjeçari palestinez Fadil Alwan, që dyshohet për vrasjen e vajzës së tij në Tiranë, është arrestuar në Liban, ka njoftuar Policia e Shtetit të mërkurën.
Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarit u bë i mundshëm falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit.
49-vjeçari dyshohet se e vrau vajzën e tij me mjet prerës në shkurt të këtij viti në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka” në Tiranë.
Gjykata në Tiranë i caktoi Fadilit masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare".
Ka pasur dyshime për vrasjen e palestinezes 24-vjeçares Rayyan Alwan derisa disa ditë më vonë u kuptua që dorasi është babai i saj – i cili kishte arritur të ikte nga Shqipëria.