Një grua është arrestuar të premten në Prishtinë, për armëmbajtje pa leje dhe nën dyshimin për tentim vetëvrasje.
Policia ka njoftuar se e dyshuara, e cila është nga komuna e Vitisë, në gjendje jo të mirë psikologjike, në rrethana ende të pasqaruara është vënë në posedim të një arme zjarri, duke u larguar më pas me veturën e saj në drejtim të panjohur.
“Në bazë të informacioneve për gjendjen psikologjike momentale të saj dhe disa mesazheve të përcjella nga e dyshuara, e njëjta me armën të cilën e kishte në posedim ekzistonte dyshimi se do të shkaktoj lëndime vetës apo personave të tjerë”, thuhet në njoftim.
Policia ka arritur ta identifikojë, lokalizojë dhe ta arrestojë të dyshuarën afër një qendre tregtare në Prishtinë, pa shkaktuar pasoja.
“Po ashtu gjatë arrestimit nga e dyshuara është konfiskuar edhe arma e zjarrit, të cilën e dyshuara e kishte në posedim”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, e dyshuara është duke u intervistuar, ndërsa njësiti i hetimeve janë duke punuar ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të rastin.