Gjykata njoftoi se ai u dënua pasi më 14 dhjetor të 2012-s ishte futur në një kazino në Ferizaj dhe i kishte grabitur 1.500 euro nga arka.
"Betimi për Drejtësi" ka raportuar se i pandehuri është Dardan Krivaça, që akuzohet edhe për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit.
Nga akuza është liruar i pandehuri A.L., që dyshohej se kishte marrë pjesë në këtë grabitje.
“I pandehuri D.K është shpallur fajtor sepse më datë 14 dhjetor 2012 rreth orës 04:50, në kazino në Ferizaj, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme e që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me përdorimin e kanosjes serioze kundër personit tjetër, ku i pandehuri i parë ka bërë roje, e dy të pandehurit të tjerë të maskuar, njëri me revole në dorë, kurse tjetri me thikë, kanë hyrë brenda në kazino, kanë kërkuar nga personat të cilët ishin aty që të ulen në gjunjë, kurse nga i dëmtuari F.I. kanë kërkuar paratë dhe nga arka kanë marrë 1.500 euro dhe largohen në drejtim të panjohur”, thuhet në vendim.
Kazinotë dhe lojërat e fatit janë të ndaluara me ligj në Kosovë nga 2019-a.