Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar, dy nga një autoshkollë dhe një nga Kryqi i Kuq i Kosovës në Fushë-Kosovë.
Ata janë ndaluar nën dyshimin për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndalur për 48 orë, tre persona të dyshuar me inicialet A.F dhe G.M nga Autoshkolla ‘STOP’ dhe i dyshuari me inicialet M.TH nga Kryqi i Kuq i Kosovës, Dega në Fushë Kosovë, ndërsa e dyshuara me inicialet A.A nga Kryqi i Kuq i Kosovës, Dega në Fushë Kosovë, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Siç bëhet e ditur, ky arrestim është zhvilluar në bashkëpunim me hetuesit policor nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit dhe është vazhdimësi e rastit, ku paraprakisht, ishin arrestuar një Instruktor i kësaj autoshkolle dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Personat e dyshuar, dyshohet se e kanë kryer veprën penale Falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 427 të KPRK-së”, thuhet tutje në njoftim.