Dy vetaksidente trafiku kanë rezultuar me pasoja të rënda gjatë mbrëmjes të së mërkurës në autostrada.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka njoftuar se rreth orës 21:15 në autostradën “Arben Xhaferi”, saktësisht në Babush-Lipjan është shkaktuar një vetaksident, ku është i përfshirë një automjet.
Ai ka njoftuar se shoferja e automjetit ka marrë lëndime serioze.
E lënduara është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa hetimet lidhur me shkaktarët e rastit po vazhdojnë.
Po ashtu, vetëm 30 minuta më vonë nga ekipet policore në terren, Hoxha tha se kanë pranuar edhe një informatë tjetër se një vetaksident tjetër është shkaktuar edhe në rajonin e Mitrovicës jugu dhe shoferi i automjetit po ashtu ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e lëndimeve të marra.
“Duke vlerësuar këtë situatë dhe këto raste që shpesh po përfundojnë edhe me humbje të jetëve njerëzore, sipas analizave statistikore që tani më që i kemi potencuar dhe publikuar disa here, vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti, 70 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut rrugor dhe rreth 55% prej tyre janë shoferë”, ka njoftuar tutje Hoxha.