Kronikë

Dy të kërkuar nga UNMIK-u për trafikim të qenieve njerëzore arrestohen në Tiranë

arrestim - pranga

Foto: Ilustrim

Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të qenieve njerëzore, janë arrestuar në Tiranë nga Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, më 13 janar 2026, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të UNMIK-ut në Kosovë ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar ndaj tyre, si të dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizim i grupit të strukturuar kriminal”, në kuadër të trafikimit të qenieve njerëzore, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Arrestimet janë realizuar në dy faza të njëpasnjëshme të operacionit, të njohura si “Operacionalja 78” dhe “Operacionalja 79”, të finalizuara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e DPPSh-së.

Lokalizimi dhe ndalimi i të dyshuarve R.B. dhe G.H., të dy banues në Tiranë, është bërë në po këtë qytet.

Ata janë ndaluar me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, ndërsa vijon puna për përfundimin e procedurave ligjore për dorëzimin e tyre pranë autoriteteve kosovare.