Në pikën e kalimit kufitar Vërmicë, gjatë një kontrolli të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, është zbuluar një rast i posedimit të paautorizuar të substancave narkotike.
Rasti është evidentuar pas selektimit për kontroll të një automjeti që po hynte nga Shqipëria në Kosovë, mbrëmjen e së enjtes.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit në vijën e dytë, nën ulësen e shoferit është gjetur një qese najloni e tejdukshme që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 500 gramë.
Po ashtu, gjatë kontrollit trupor të personit është gjetur edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar marihuanë, me peshë rreth 0.57 gramë, ka njoftuar Dogana.
I dyshuari është arrestuar dhe rasti është dorëzuar për trajtim të mëtejshëm tek njësitet kompetente të hetimeve të Doganës dhe Policisë së Kosovës.
“Njësia për hetime ka konfirmuar përmes testit fushor se substanca e sekuestruar është e llojit kokainë. Kontrolli i mëtejshëm i automjetit është kryer edhe përmes skanerit në bashkëpunim me autoritetet doganore të Republikës së Shqipërisë, ku nuk janë gjetur materiale të tjera të dyshimta”, njoftoi Dogana.
 
 
            


