Kronikë

I akuzuari në rastin për 400 kg kokainë: Po të mos ndërhynte Policia, do shpërndahej nëpër markete

gjyq

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve për 400 kilogramë kokainë të ardhur nga Brazili. Fillimisht ishte paraparë që të paraqitej i akuzuari, Kadri Sheqiri, por për shkak të gjendjes shëndetësore, mbrojtjen e tij u vendos ta jap ndonjë ditë tjetër. Ndërsa, Kadri Brahimi doli para trupit gjykues.

Përveç të akuzuarve Sheqirit dhe Brahimit të akuzuar tjerë për importim të 400 kilogramëve kokainë nga Brazili akuzohen edhe pronari i kompanisë “MC Food”, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli e Fehmi Bytyqi.

Brahimi tregoi se nga viti 2012 ka qenë i angazhuar në “MC Food”, fillimisht si punëtor i thjesht e më pas si depoisti kryesor, pozitë të cilën e mori në vitin 2015. I pyetur nga mbrojtësi i tij se si depoisti kryesor e identifikon mallin që vjen në depo, Brahimi tha se përmes barkodit që e ka secila paketë.

Më pas kur u pyet nga avokati i tij se pse në ditën kritike tek kamioni ku ishin gjetur 400 kilogramë kokainë i akuzuari Kadri Brahimi gjatë shkarkimit i kishte ndarë disa paleta në njërën anë e disa të tjera në anën tjetër, Brahimi tha se kjo ndarje është bërë për shkak të barkodeve e që kanë qenë dy njëri 82 e tjetri 101.

“Janë procedura se kanë qenë dy barkode sa e mbaj mend ka qenë 82 dhe 101 dhe nuk guxojnë me u përzier këta malle”, tha ai. 

Në pyetjen e mbrojtësit të tij se a ka rezistuar arrestimit të Policisë së Kosovës në ditën kur u gjet kokaina në kompaninë “MC Food”, Brahimi u shpreh nuk e ka kundërshtuar arrestimin e tij, por që shtoi se është rrahur nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në atë moment.

“Jo dhe në momentin që më ka urdhëruar Policia unë kam rënë, por më së fundi më kanë rrahur me duar lidhur si qenin nuk e kam merituar atë gjë dhe duket në kamera”, theksoi ai.

Pas, përfundimit të pyetjeve nga mbrojtësi i tij, Brahimi iu përgjigj pyetjeve të prokurorit të rastit, Valdet Gashi i cili fillimisht kërkoi të di se kur kishte arritur në “MC Food” kamioni në të cilën u gjetën 400 kilogramë narkotikë.

Brahimi tha se rojtari ishte njoftuar se në kompani kishte arritur kamioni në fjalë, dhe më pas vetë ai ka dhënë urdhër që të futet në rrymë kontejneri ku ishte gjetur sasia e drogës.

“Po më kanë lajmëruar dhe kam urdhëruar me hy në rrymë... me shti kontejnerin në rrymë me punua frizi mos me u prish malli....Mua më ka lajmëruar rojtari kur ka arritur në vend jo dikush tjetër”, tha ai.

Gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarit, prokurori i rastit të akuzuarin e ballafaqoi me një pjesë të deklaratës dhënë në prokurori. Në deklaratën dhënë në prokurori Brahimi kishte deklaruar se në ditën kur kishte arritur kamioni në kompani ishte vetëm një kamion ndërsa, sot tha që kanë qenë edhe dy të tjerë. Ndërsa, Brahimi tha se ka menduar se pyetja i është bërë nga Prokuroria se sa kamion nga Durrësi kishin arritur në kompani.

Ndërsa, në pyetjen e avokatit, Florent Latifaj, se çfarë do të ndodhte me mallin nëse Policia e Kosovës nuk do të kishte ndërhyrë, Brahimi në përgjigjen e tij tha se produktet do të shpërndaheshin në treg në të gjithë Kosovën.

“Atë mall po të mos kishte ndërhyrë policia ata mall ka pas mundësi me shkua nëpër marketet e krejt Kosovës sepse ne paketat nuk i hapin sepse mua nuk më intereson a ka gur, nagets apo çka ka në të unë veç numrin e barkodit e kam në faturë më shumë nuk më intereson. Atë minutë që del nga depoja unë nuk jap përgjegjësi”, tha ai.

Në seancën e fundit për rastin e 400 kilogramëve kokainë mbrojtjen e tij e dha i akuzuari, Izet Sheqiri i cili është edhe pronar i kompanisë “MC Food”.

Për këtë rast ishte i akuzuar edhe Hysni Sheqiri i cili pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penela. Ndërsa, i akuzuari tjetër ishte edhe Naim Morina i cili pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësisë është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.