Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Rahovec.
IPK-ja ka thënë se bazuar në të dhënat preliminare dhe provat e siguruara, ekziston dyshim se ata kanë kryer “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”
IPK-ja ka thënë se rekomandimi për suspendim të përkohshëm është ndërmarrë me qëllim të mosndikimit në procesin hetimor.
“Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore lidhur me një rast në Rahovec ku dyshohet se janë përfshirë dy zyrtarë policorë. Pas këtyre veprimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Rahovec, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë. Bazuar në të dhënat preliminare dhe provat e siguruara deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Hetimeve në IPK, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve eventualisht të kundërligjshme të zyrtarëve policorë të përfshirë”, ka njoftuar IPK.