Kronikë

Lirohet i akuzuari për terrorizëm

Gjykata Themelore Prishtine

Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga akuzat të akuzuarin për terrorizëm, Blerim Syla. Ai u lirua nga akuza për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”. 

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni tha se në proces gjyqësor u vërtetua vetëm qëllimi për të marrë pjesë në organizatë terroriste, por se kjo më vete nuk është vepër penale.

Ndërkaq, aktgjykim refuzues dha lidhur me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, shkaku i parashkrimit të ndjekjes penale.

Gjykata urdhëroi konfiskimin e revoles së të pandehurit dhe dy eksplozivëve të tritolit në formë sapuni që iu gjetën Sylës në shtëpinë e tij në Gjilan. Sipas aktakuzës, ai ka qenë pjesë e organizatës terroriste ISIS më 2013, si dhe ka marrë edhe pjesë aktive në luftimet në qytetin Tarifat të Sirisë më 2014 për një periudhë 3-mujore. Gjatë bastisjes, atij në bazë të aktakuzës, iu gjet materie shpërthyese (tritol), materiale për aktivizimin e eksplozivit dhe një revole.