Policia ka shpallur në kërkim të dyshuarin për të paktën 15 raste të mashtrimeve në rajonin e Mitrovicës.
Siç është bërë e ditur nga autoritetet, i dyshuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm është paraqitur rrejshëm duke përdorur emra të personave publikë dhe zyrtarë, si dhe ka vënë në lajthitje qytetarët duke i mashtruar që t’i dërgojnë para përmes institucioneve të transfereve financiare.
“Identifikimi i personit të dyshuar është bërë në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Policisë së Kosovës (ILECU), përmes të cilës Drejtori është kërkuar asistimi i autoriteteve kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës. Dyshimi bazohet në prova se i dyshuari me anë të paraqitjes së rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke përdorur emra të personave publik dhe zyrtar, kishte vënë në lajthitje qytetarët duke i mashtruar që ti dërgojnë të para përmes institucioneve të transfereve financiare andaj hetuesit policor kanë paraqitur Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndaj të dyshuarit në kërkim: Edon (Hisen) BYTYQI lindur me: 26.07.1990, në fshatin Arllat, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Dyshohet se personi vendndodhjen aktuale e ka në Bosnjë-Hercegovinë andaj Kallëzimi Penal ndaj tij është paraqitur në mungesë.
“Duke marrë parasysh se ai ka urdhër-arreste aktive edhe për vepra të mëhershme penale dhe ekziston mundësia e lëvizjes së tij në shtetet e rajonit, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët bashkëpunim dhe për çdo informatë që posedojnë ta njoftojnë policinë me qëllim të lokalizmit dhe arrestimit të tij”, thuhet tutje në njoftim.