Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër I.Z. nën dyshimin se ka kryer veprat penale të tentimvrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës, më 13 janar sivjet, i akuzuari dyshohet se ka plagosur tre persona. Motivi dyshohet të ketë qenë përkatësia kombëtare e të dëmtuarve. Sipas raportimeve të asaj kohe, dy nga të plagosurit janë me prejardhje nga Serbia.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti pati ndodhur brenda një lokali në Komunën e Deçanit. Si pasojë e të shtënave, tre të dëmtuar kanë pësuar plagë nga arma e zjarrit, prej të cilëve dy kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta trupore. Personi i katërt ka arritur t'i shmanget sulmit pa u lënduar.
Aktakuza gjithashtu ngarkon të pandehurin se armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale e kishte mbajtur pa autorizim ligjor, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Armët. Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion.