Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, një nënkolonel dhe një kapiten policor të Drejtorisë Rajonale të Pejës, pasi dyshohen për keqpërdorim të pozitës.
IPK ka njoftuar se më 28 maj disa policë në Pejë ishin njoftuar për një aksident dhe kishin shoqëruar më pas në stacion policor edhe një të dyshuar që nuk ishte i përfshirë në aksident, por që kishte penguar policët gjatë detyrës.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohen se e kanë shoqëruar të dyshuarin në stacion duke mos përcjellë rastin për hetim, dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast, gjë që është në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të Policisë në raste të tilla. Më pas, i kanë shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre. Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.