Të paktën katër raste të vdekjes në 24 orët e fundit, po hetohen nga Policia e Kosovës. Dy prej tyre janë cilësuar edhe si vdekje të dyshimta.
Siç është bërë e ditur në raportin 24-orësh të Policisë të martën, në rastin e parë në Obiliq një person është gjetur pa shenja jete në mëngjesin e së hënës. Vdekja e tij u konstatua në vendin e ngjarjes. Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Një tjetër “hetim i vdekjes” po zhvillohet për një rast në Cerkolez të Istogut. Pasditen e së hënës një person u gjet i vdekur në automjetin e tij. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Ndërkaq vdekje të dyshimta ka pasur në Skenderaj dhe Zveçan. Në rastin e Skënderajt, një burrë është gjetur pa shenja jete në Prekaz të Poshtëm e mjeku ka konfirmuar në vendin e ngjarjes se personi ishte pa shenja jete. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
E në rastin e Zveçanit, në rrugën “Mbreti Pjetër”, një person është gjetur pa shenja jete në rrethojat e shtëpisë së tij. Trupi është dërguar për obduksion.