Policia e Kosovës ka realizuar një bastisje në rrugën "Kralj Petri", në Mitrovicën e Veriut, ku ka sekuestruar armë dhe municion të ndryshëm. Gjatë aksionit, në bodrumin e një ndërtese të njohur si "Vampirush", u gjetën: 3 raketa hedhëse krahu, 2 helmeta balistike ushtarake, 2 çanta ushtarake, 1 gazmaskë dhe 1 antiplumb.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se aktualisht, nuk ka të arrestuar, ndërsa policia është duke punuar në identifikimin e personave të dyshuar lidhur me këtë rast.
“Nuk ka persona të arrestuar dhe policia është duke punu në identifikim të të dyshuarit apo dyshuarve në këtë rast”, ka thënë Elshani për KosovaPress.
Po ashtu, gjatë ditës, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve dhe makina që janë përdorur në ndërhyrje me armë, gjatë një kontrolli në tri lokacione në veri.
Gjetjet dhe sekuestrimi janë bërë në njërin nga tri lokacionet e kontrolluara.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kontrolli është realizuar nga Policia e Kosovës - Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me urdhër të gjykatës.
Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkroi se terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia nuk ka vend në Kosovë.
"Në një aksion të radhës të Policisë së Kosovës janë zbuluar tre raketa hedhës krahu (zolla), dy helmeta balistike ushtarake, dy çanta ushtarake, një antiplumb dhe një gazmaskë. Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia si në rastet si ky sot, nuk kanë dhe nuk do të kenë më vend në Kosovë".