Kronikë

Prokuroria kërkon masë të sigurisë ndaj Valon Sylës

Valon Syla

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që gazetarit Valon Syla, i dyshuar veprat “dhunë në familje” dhe “lëndim i lehtë trupor” t’i shqiptohet masa “e ndalimit të afrimit vendit ose personit të caktuar”, në këtë rast që të mos i afrohet banesës apo vendndodhjes së viktimës.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit ka kërkuar në gjykatë për të pandehurin  V.S. masën e ndalimit për të ju afruar vendit apo personit të caktuar në bazë të nenit 171 të Kodit  të Procedurës Penale”, ka njoftuar Prokuroria.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar për KOHËN se Syla dyshohet për dy vepra penale: “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Të hënën do të mbahet seanca e parë dëgjimore në orën 10:00.

Për këtë çështje ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që tha se Prokuroria s’ka kërkuar paraburgim për Sylën, por ndalim të afrimit te viktima. Haxhiu tha se këto veprime i inkurajojnë dhunuesit “që të vazhdojnë me veprime të dhunshme, sepse ther në këmbë nuk i mbetet”.

“Prokuroria nuk ka kërkuar paraburgim për dhunuesin Valon Syla, por ndalim të afrimit te vendi apo personi i caktuar, përkatësisht viktima. Mjafton të dalësh nëpër studio, që të trajtohesh ndryshe nga sistemi i drejtësisë. Këto veprime, përveç që janë të papranueshme, edhe i inkurajojnë dhunuesit që të vazhdojnë me veprime të dhunshme, sepse ther në këmbë nuk i mbetet. Mjerim!”, ka shkruar ajo në Facebook.