Kronikë

Prokuroria po e heton si të qëllimshëm zjarrin në Spitalin e Pejës

Sipas hetimeve të Prokurorisë në Pejë, dyshohet se një person i maskuar e ka vënë qëllimshëm zjarrin në dhomën ku gjenden pajisjet e Teknologjisë Informative. Për rastin që ndodhi në orët e hershme të së mërkurës nuk ka ende të arrestuar

Incidenti në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës që fillimisht u raportua nga menaxhmenti se u shkaktua nga defekti elektrik, është duke u hetuar nga Prokuroria si zjarrvënie e qëllimshme.

Sipas hetimeve të Prokurorisë në Pejë, dyshohet se një person i maskuar e ka vënë qëllimshëm zjarrin në dhomën ku gjenden pajisjet e Teknologjisë Informative.

Për rastin që ndodhi në orët e hershme të së mërkurës nuk ka ende të arrestuar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka thënë se janë duke punuar për të identifikuar personin dhe për të kuptuar nëse ka pasur edhe individë të tjerë të përfshirë.

“Për këtë çështje janë duke u marrë veprime hetimore intensive për identifikimin e këtij personi për arrestimin e tij dhe më pas nëse ka edhe persona të tjerë të implikuar”, ka thënë ai.

Për zjarrin, nga Spitali reaguan pak orë më vonë kur fajin ia lanë defektit elektrik e më pas deri të shtunën heshtën, kur edhe u pranua se bëhet fjalë për zjarr të qëllimshëm.

Në njoftimin për media të lëshuar të shtunën, thuhet se ishin në dijeni të zjarrvënies së qëllimshme, por nuk deshën të pengojnë hetimet me ndonjë reagim.

“Qysh në orët e para pas sulmit, pas verifikimit të incizimeve në kamerat e sigurisë, e kemi kuptuar që ishte një sulm kriminal, i qëllimshëm ndaj institucionit tonë shtetëror, por pas konsultimeve me hetuesinë nuk e kemi publikuar menjëherë këtë informacion për të mos penguar hetimet, pasi kemi qenë të sinkronizuar në tërësi me organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Pejës.

Për deklarimet kundërthënëse askush nga menaxhmenti i Spitalit nuk ka pranuar të flasë të dielën. Po ashtu, stafi i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë nuk e ka lejuar ekipin e KOHËS të marrë pamje brenda, aty ku ka shpërthyer zjarri, me arsyetimin se Prokuroria është ende duke kryer hetime.

Në ambientet e përfshira nga zjarri gjendet edhe arkivi e Spitalit.

Në atë ndërtesë janë të vendosur pjesa më e madhe e shtretërve të Spitalit. “Jemi me fat që zjarri është lokalizuar shpejt, sepse përndryshe do të kishim tragjedi, ngase sulmuesi rrezikoj jetën e qindra pacientëve dhe personelit tonë”, thuhet në komunikatën e së shtunës mbrëma të Spitalit të Pejës.