Kronikë

Të shtëna në një dasmë në Shtime, Policia konfiskon armën

Të shtëna në një dasmë në Shtime, Policia konfiskon armën

Në një dasmë të mbajtur në fshatin Petrovë të komunës së Shtimes, janë raportuar të shtëna me armë zjarri rreth orës 09:00 të mëngjesit të së martës, ka njoftuar Policia në Ferizaj.

Sipas autoriteteve, pas marrjes së informatës, policia ka identifikuar dhe kontaktuar një nga të dyshuarit, i cili ka dorëzuar armën që dyshohet të jetë përdorur në këtë ngjarje festive. Arma është konfiskuar nga policia.

Në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, është intervistuar i dyshuari A.B., 23 vjeç, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës”. Gjithashtu, në kuadër të hetimeve është intervistuar edhe A.M., 45 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe, sipas vendimit të tij, të dyshuarit janë liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Policia Rajonale e Ferizajt ka përsëritur apelin ndaj qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve në raste festash, duke theksuar rrezikun serioz që paraqet kjo praktikë për jetën dhe sigurinë publike.