Dy grupe të nxënësve të shkollës së mjekësisë “Elena Gjika” dhe ata të gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj në mesditë janë përleshur për disa minuta jashtë rrethojave të shkollës, ndërkohë një nxënës i klasës së dymbëdhjetë i shkollës “Elena Gjika” ka pësuar lëndime të rënda nga therja me thikë.
Të gjithë këta nxënës mësojnë në një objekt të përbashkët, andaj rasti ka ndodhur derisa nxënësit kishin dalë në pushim të gjatë për të blerë ushqime. Sipas burimeve të KOHËS brenda shkollës “Elena Gjika” përleshja fizike kishte ndodhur mes dy grupeve, derisa janë përdorur edhe mjetet e mprehta.
“Ka pasur përleshje mes nxënësve të paraleleve të dymbëdhjeta e më pas një nxënës ka pësuar lëndime të rënda nga therja me thikë. Nxënësin e kanë dërguar për në spital dhe po trajtohet atje si rast mjaft i rëndë”, ka thënë ky burim.
KOHA ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e shkollës “Elena Gjika”, Bahrije Hoxha e cila e ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se në këtë moment janë duke e mbajtur një mbledhje urgjente organet drejtuese të shkollës.
“Deri tash isha në spital në Prishtinë me nxënësin i cili ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë. Tani jemi duke e mbajtur një mbledhje në shkollë dhe nuk mund të jap më shumë detaje”, ka thënë shkurt Hoxha.
Drejtori komunal i Arsimit, Afrim Llabjani, ka sqaruar se është duke u marrë me rastin dhe se ka kontaktuar edhe me familjarët e nxënësit i cili ka pësuar lëndime.
“Afër mesditës kam marrë këtë informacion nga drejtoresha e shkollës dhe menjëherë nxënësi i lënduar është dërguar për trajtim. Dyshohet se ata kanë dalë jashtë shkollës për të blerë diçka gjatë pushimit të gjatë dhe aty kanë nisur përleshjet e më pas është therë me thikë një nxënës i shkollës 'Elena Gjika'”. Dyshohet se atë e ka therë një nxënës tjetër i gjimnazit 'Shaban Hashani' që mësojnë në një objekt të përbashkët por që hyrjet i kanë të ndara”, ka thënë Llabjani.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt ka thënë për KOHËN se rasti ka ndodhur rreth orës 10:30 derisa policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në afërsi të shkolle të mesme ka ndodhur një përleshje mes disa personave, ndërkaq, për pasojë lëndime trupore ka pësuar një person i moshës 17 vjeç i cili është transferuar pë trajtim në QKUK.
“Në rast veç policëve të rendit janë kyçur hetuesit e stacionit të policisë të cilët në polici i kanë shoqëruar 9 persona. Pas intervistimit të tyre, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, një person është ndaluar në mbajtje për 24 orë, me dyshimin se e ka kryer këtë vepër, ndërsa të dyshuarit tjerë janë liruar për procedurë të rregullt hetimore”, ka thënë Veseli.